Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se është shqetësuese fakti që deri në fund të muajit nëntor janë realizuar 53% e investimeve publike.

Braçe tha se kjo tregon inefiçencë totale të përdorimit të parasë publike, ndërsa u shpreh se anëtarët e qeverisë duhet të bëjnë analiza në sektorët ku janë adresuar këto investime.
“Unë e dija histori të mbaruar nuk e dija që vazhdoka verifikimi nga Instituti i Ndërtimit dhe shpallja e të tjerë objekteve të rrezikuara. Unë mendoj që komisioni të marrë informacione. Kjo fatura e qirave që shkon 28 mln dollarë në vit është shumë. Natyrisht që kemi detyrime ndaj atyre njerëzve sepse janë jashtë, por duhet të shikojmë, të ketë edhe transparence dhe disiplinë dhe bashkitë duhet të jenë elementë kyç i disiplinës dhe transparencës në këtë histori.

Shkojnë 55 miliardë lekë, këtë vit dhe vitin e ardhshëm dhe do na duhet të dimë faturën e plotë të paguar deri tani dhe sa do na duhet të paguajmë për rindërtimin nga fondet e buxhetit të shtetit, taksapaguesve të huaj por edhe fondeve të huaja. Akoma më mirë bëjmë që shtojmë fondet te bujqësia. 600 milionë lekë, për ata njerëz është jetike. Viti nuk ka qenë i mirë edhe për shkak të kushteve klimatike, kufizimeve në transport për eksportet e produkteve tona. Ajo që më shqetëson është që të realizohen investime deri në fund të nëntorit 53 për qind, tregon inefiçencë totale të përdorimit të parasë publike. Bëjmë gjithë këtë sakrificë dhe nuk i shpenzojmë dot.

Kjo tregon që jemi keq, ta themi siç është. Secili prej anëtarëve të qeverisë veçanërisht në sektorët kyç ku janë adresuar investimet publikë duhet të bëjë analizën e vet. Inflacioni ka vajtur 3.2 për qind, imagjinoni cili do të jetë efekti i këtyre pagesave deri në 15 janar. Nuk ndodh askund në botë që ti thuhet stop ekonomisë se do ndikojë në zgjedhje. Njerëzit duan ekonominë, të ardhurat në shtëpitë e tyre. Duhet ta shihni ju në nivel ekonomik dhe politika.

Po të bësh stop 5 muaj dhjetori do ta hajë. Shiheni sepse është problem i madh dhe bëni përpjekjen që paratë të shpenzohen, të mos shkojnë me deficitit. Shpenzoni paratë. Nuk ka detyrim tjetër për një ministër”, tha Braçe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb