Komisioni i Ekonomisë ka miratuar rishikimin e fundit të buxhetit të shtetit për vitin 2024, duke u përqendruar tek shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe alokimi i fondeve për projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe sociale. Ky rishikim synon të mbështesë shtresat më të cenueshme dhe të garantojë financimin e vazhdueshëm të investimeve publike.

Pensionistët që marrin më pak se 20,000 lekë në muaj do të përfitojnë një shpërblim prej 100 euro, ndërsa ata që marrin më shumë se 20,000 lekë do të marrin 50 euro. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se kjo masë ka një kosto prej 2.2 miliardë lekësh dhe është mbështetur nga një fond fillestar prej 6.3 miliardë lekësh i krijuar në Bankën e Shqipërisë.

Ndër të tjera, rishikimi i buxhetit përfshin një hua të re për Albcontrol, duke synuar të mbështesë projektet e kësaj kompanie në sektorin e aviacionit. Financime shtesë prej 1.6 miliardë lekësh janë parashikuar për Policinë e Shtetit, për kompensimin ushqimor, mbulimin e orëve jashtë orarit dhe shpenzimet për karburant gjatë sezonit turistik.

Fermërët do të përfitojnë një shtesë prej 1.4 miliardë lekësh për skemat mbështetëse. Gjithashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mbrojtjes janë përfshirë në këtë rishikim me shtesa përkatësisht prej 1.3 dhe 1.1 miliardë lekësh.

Agjencia Kombëtare e Kadastrës do të përfitojë 1.57 miliardë lekë për digjitalizimin e të dhënave dhe regjistrimin fillestar të zonave kadastrale. Po ashtu, janë alokuar 300 milionë lekë për organizimin e tre tureve të para të “Giro d’Italia” dhe financimin e projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”.

Ministri Malaj shtoi se borxhi publik është ulur në 55% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe parashikohet të qëndrojë në këtë nivel deri në fund të vitit 2024. Për investimet kapitale, deri në fund të muajit pritet realizimi i 95% të projekteve me financim të brendshëm dhe 90% të atyre me financim të huaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb