TIRANË- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në seancën dëgjimore të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, në lidhje me Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, ku pas diskutimeve të shumta, ky projektligj u votua në parim

Sipas saj, deri më sot, universitetet janë financuar me logjikën e bazuar vetëm në inpute, pra një financim pothuajse mekanik, ku nga buxheti total për universitetet, financimi shpërndahej proporcionalisht me numrin e studentëve dhe pedagogëve të çdo universiteti.

Ndërkohë, në ligjin e ri parashikohet që financimi të bëhet sipas nevojave të ekonomisë së zhvillimit të shoqërisë, në përputhje me kërkesat e tregut dhe punësimin duke bërë të mundur që financimi të shkojë në degët me interes kombëtar dhe degët që ndihmojnë zhvillimin social të vendit e që janë të lidhura ngushtësisht me punësimin.

“Universitetet nuk do të financohen më sipas logjikës së ndarjes aritmetike, bazuar në numrin e studentëve dhe pedagogëve, por do të financohen në përputhje me standardet e cilësisë që do të konfirmohen nga procesi i akreditimit dhe një seti treguesish sipas një kodi cilësie. Kjo mënyrë e re financimi do të rris konkurrencën dhe do të stimulojë punën dhe përpjekjet e universiteteve drejt standardeve të cilësisë. Shteti do të bëhet gjithnjë e më shumë garantues i cilësisë në çdo hallk të sistemit”, deklaroi Nikolla.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi se paratë publike do të përdoren ekskluzivisht për universitetet publike dhe se këto do të kenë si burim kryesor financimi fondin e mësimdhënies, fondin për bursat e studentëve dhe fondin për punën kërkimore shkencore.

“Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit për arsimin e larë do të përdoret për bursa për studentët. Duhet të sqarohet qartë se frika apo dyshimi se studentët do të paguajnë tarifa të larta studimi është e pavend. Ajo shumë parash që deri tani shpërndahej në mënyrë proporcionale, pas asnjë seleksionim apo orientim mes masës së studentëve, sipas ligjit të ri, do shpërndahet në mënyrë të orientuar në tre kategori studentësh, studentët e ekselencës, studentët që ndjekin degët me interes kombëtar si dhe studentët që kanë mëritën por nuk kanë mundësi ekonomike”, tha Ministrja Nikolla duke shtuar se risi e këtij ligji është që në bursë përfshihen, krahas tarifës së studimit, edhe shpenzimet e jetesës.

Duke folur për një tjetër risi të Projektligjit për Arsimin e Lartë, siç është krijimi i Institucioneve Publike të Pavarura, Ministrja e Arsimit theksoi se synimi i ligjit nuk është financimi i universiteteve private.

“Nga ky ligj i ri, universitete private kanë mundësi të përfitojnë nga fondet publike vetëm në dy raste. Nga bursat e studentëve të ekselencës, nëse këta zgjedhin të shkojnë në një universitete privat si dhe nga fondi i kërkimit shkencor, nëse këto universitete fitojnë projekte të dedikuara për kërkimin shkencor dhe kjo është më pak se 1% e fondit publik”, u shpreh Nikolla.

Niveli maksimal dhe minimal i tarifave të studentëve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me propozimet e universiteteve dhe në këtë mënyrë eliminohet çdo lloj abuzimi me tarifat.
Krahas skemës së re moderne të financimit, risi të tjera që Projektligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor sjell kanë të bëjnë me modernizimin e kërkimit shkencor duke e përcaktuar si tregues për financimin, ridimensionimin e agjencive ekzistuese, modernizimin e qeverisjes së brendshme universitare, etj.

Pas diskutimeve, Komisioni për Ekonomikë dhe Financat votoi në parim Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: