NGA EGLANTINA ALLIAJ*

TIRANË- Mazhoranca dhe opozita kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me dekretin e presidentit të Republikës Bujar Nishani lidhur me ligjin për shërbimin e Jashtëm. Për demokratët ligji është një hap pas dhe goditje e rëndë për diplomacinë në sytë e ndërkombëtarëve.

Përfaqësues të mazhorancës e cilësuan të paargumentuar dekretin e presidentit. Nga ana e saj, kryetarja e komisionit të jashtëm, Arta Dade tha se ligji i jep hapësirë që të ketë diplomatë jashtë sistemit të karrierës, por do ketë një monitorim të emërimeve.

“Ne kemi për detyrë si Komision të monitorojmë më nga afër, në mënyrë më intensive rastet e emërimeve të ambasadorëve, ashtu sikurse kemi bërë. Tani meqenëse kemi një ndryshim në ligj, ne do të ushtrojmë të gjitha kompetencat tona, për të monitoruar më nga afër në mënyrë më strikte veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mënyrë të veçantë rastet e emërimeve për ambasador. Kemi ende 10 ditë hapësirë, që të vazhdojmë të bëjmë, ndoshta negociata dhe të avancojmë mendimin edhe tuajin, edhe përsëri të komisionit që mbetet i pa lëkundur. Ligji sjell dhe risi, ka dhe përmirësime dhe ne padyshim që duhet të vlerësojmë edhe anët pozitive që ka ligji i ri, siç është rasti i trajtimi financiar. Uroj që Ministria e Punëve të Jashtme të këtë një vëmendje më të madhe në hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit”,- tha Dade.

Ligji i kthyer nga Presidenti u miratua në Kuvend më 19 mars, me 75 votat e shumicës. Në argumentat e tij, kreu I shtetit nënvizon se heqja e kuotave jashtë sistemit të karrierës bën të mundur që në çdo rast të shpërfillet trupa e diplomatëve me grada në Republikën e Shqipërisë në këto 17 vite. Presidenti kundërshton edhe afatin që i vendos ligji i ri, për t’u shprehur jo më vonë se 30 ditë, për propozimet e kryeministrit për emërimin e një ambasadori.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb