Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i ka drejtuar disa pyetje kreut të SPAK, Arben Krajës.

Alibeaj pyeti në Komisionin e Ligjeve Krajën, se ka dy anë, njëra që i mbështet e këtu iu referua opozitës, e nga ana tjetër maxhorancën që sipas tij i kritikon.

“Sigurisht është dilemë e madhe, për ju se sa për politikën. Njëri është qëndrimi kritik dhe tjetri është qëndrimi mbështetës, të cilën edhe ne e kemi pasur. Sinqeriteti është më i rëndësishmi.

Opozita sigurisht që ka pasur kërkesat e veta të justifikuara lidhur me performancën e drejtësisë. Çështjet e ligjeve speciale, teatri, Bechetti, çështjet zgjedhore. Ne vetëm për zgjedhjet e vitit të kaluar kemi çuar te ju 50 çështje penale dhe atë të patronazhistëve. Ne kemi zgjedhur problematikat. Të mbështesim ça kemi arritur deri më tani. Ky është raporti më i ndershëm që duhet krijuar mes politikës dhe drejtësisë. Cilat janë dhe do të doja ta dija në mënyrë të sinqertë se cilat janë nevojat që SPAK-u do të plotësohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Nevoja ligjore, për ndryshime ligjore, nevoja të natyrës së buxhetit. Nevoja e natyrës së stafit apo nevoja të tjera. Do të ishte kjo një nga mënyrat më të mira, në mënyrë që vitin tjetër të raportonit dhe ne të kemi të qartë që nevojat që keni kërkuar dhe kur të vini vitin tjetër të thoni kemi kërkuar këto gjëra, m’i plotësuat dhe kemi arritje, s’më plotësuat dhe s’kemi arritje. Pyetja e dytë, në javët e fundit ka ndodhur që ka pasur deklarime politike të pushtetit, nga kryeministri, ministri i Drejtësisë, që kërkojnë t’ju tregojnë prioritetet, të vendosin agjendën. Kujtoj këtu deklaratat e kryeministrit në asamble e me radhë. Sipas opinionit tim kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejt e politikës në punët e drejtësisë.

Juve konsideroni që kjo është një ndërhyrje në punën tuaj dhe a rrënon sipas konsideratave tuaja vlerësimin e publikut te veprimtaria juaj? E shihni apo e keni menduar ju që Kuvendi i Republikës duhet të miratojë një dispozitë që të ndalojë të gjitha ndërhyrjet në fuqi”, tha Alibeaj.

Nga ana tjetër, Kraja u përgjigj se deklaratat e maxhorancës nuk i kanë parë si ndikim, duke shtuar se gjithsecili ka të drejtë për të shprehur opinionet e tyre.

“Ka qenë bashkëpunim i mirë, kemi pasur mbështetje. Unë nuk dua të komentoj sepse smë takon mua të bëj analiza të tilla. Ne kemi parim dhe standard që kemi vendosur të mos ndikohemi nga deklarimet publike. Gjithsecili ka të drejtën e tij të shprehë opinione, ndërsa ne duhet të jemi korrekt me ligjin, këtë parim kemi ndjekur. A duhet një nen për ta ndaluar këtë? Ka qenë diçka e parashikuar, u hoq më pas. Është në dorën tuaj, ne i ushtrojmë funksionet. Nuk është diçka shqetësuese për ta kthyer në nismë ligjore”, tha Kraja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb