TIRANË- Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin ekspertë nga Ministria e Drejtësisë si edhe Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato.

Në fillim të mbledhjes, Kryetari i komisionit, Xhafaj, theksoi se mbledhja nisi me vonesë për shkak se deputetët ishin të angazhuar në ceremonitë e organizuara me rastin e ditës së dëshmorëve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. “Kemi filluar me vonesë për shkak të faktit që disa angazhimeve politike të kolegëve deputet, ndër të tjera dhe fakti që sot është 5 maj dhe janë dhe homazhet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë dhe në rrethe. Kjo vështirësoi këtë mbledhje për të filluar në orar”, tha Xhafaj.

Lidhur me projektligjin për “Për disa ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, theksoi se kjo nismë vjen si shkak i hartimit në një ligji të ri, i cili do të mundësi përfundimin e kthimit dhe kompensimit të pronave.

“Ministria e Drejtësisë me propozimin të AKKP-së paraqitet këtu me një propozim për në kuptimin e një projektligji për ndryshimin e ligjit aktual në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ndryshimet të cilat ne propozojmë konsistojnë në dy nene të ligjit në fuqi të cilat kanë të bëjnë me afatin e funksionimit të fushës në të cilën vepron ligji për kthimin e kompensimin e pronave sikurse dhe të mandatit të agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave. Afati i shtyrjes të cilët neve propozojmë, Ministria e Drejtësisë dhe me vendim të Qeverisë është 6 muaj. Dhe qëllimi me të cilin kemi kërkuar shtyrjen e këtij afati me 6 muaj ka të bëj me faktin se aktualisht me propozim të AKKP-së, Ministria e Drejtësisë është duke punuar me një draft ligj të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe përderisa jemi ende në momente reflektimi, konsultimi me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të zyrës së regjistrit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kërkojmë edhe pak kohë dhe afat për të finalizuar këtë proces. Procesin e konsultimeve me ta dhe procesin e konsultimeve publike për të cilët kërkohet një transparencë akoma më e madhe dhe kërkon kohën e nevojshme, reflektimin e grupeve të interesit. Ndaj ne mendojmë që një afat 6 mujor i shtyrjes së ligjit në fuqi është shumë i nevojshëm për finalizimin e këtij procesi në kuadër të një reforme të nisur nga ana jonë në njërën anë dhe krahu tjetër nuk mund të pezullohet procesi i funksionimit normal të agjencisë për shkak sepse kërkesat e qytetarëve të cilët kanë lidhje me këtë proces janë të vijueshme ashtu sikurse është e vijueshme dhe disa procedura të tjera të përfshira në këtë ligj”, tha Qato.

Ndërsa relatori i projektligjit, deputeti Bashkim Fino, ngriti shqetësimin e shtyrjes së këtij afati. “Për herë ne fundit para 6 muajsh kur ne kemi diskutuar në këtë tavolinë, ne kemi thënë që dakord po e shtyjmë 6 muaj ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Dhe e pyetëm nëse është e pranueshëm, është i mjaftueshëm, mos do vini prapë të kërkoni shtyrjen e tij? Po të hapësh procesverbalet, janë pyetje që unë kam bërë dhe si përgjigje na është thënë se është mëse e mjaftueshme 6 muajsh. Tani ka dhe një problem të dytë, në fakt në relacion nuk është ky thelbi përse këta kërkojnë shtyrjen e projektligjit. Në relacion këta thonë se përshkak se ka një fluks të madh të dosjeve të kthimit të pronave, si zakonisht, ne kërkojmë shtyrjen për 6 muaj të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ndërkohë që kryetarja këtu na tha një gjë më objektive, një gjë më të drejtë që është vërtet diçka që duhet marrë në konsideratë që ne jemi duke bërë një ligj të ri për kthimin dhe kompensimit të pronave. Që do të thotë se nuk përputhet relacioni i paraqitur nga qeveria në atë që çka kërkon kryetarja e kthimit të pronave në këtë komision që mua më duket shuam objektit që vërtet mbase ka ardhur koha që të bëhet një ligj tjetër që të jepet fund”, tha Fino.

Deputeti Fatmir Mediu theksoi në fjalën e tij se procesi i kthimit dhe të kompensimit të pronave do të pezullohet për 6 muaj nëse miratohet kjo shtyrje afati. “Ajo që mua më shqetëson është fakti që ju thoni që ne do të pezullojmë procesin, pra kërkoni një shtyrje prej 6 muajsh sepse ose nuk i keni shqyrtuar dhe nuk i jeni përmbajtur afatit sepse ka një ligj në shqyrtim. Ju jeni një strukturë ekzekutive për të implementuar ligjin aktual dhe ju nuk jeni strukturë që të supozoni se çdo të vijë nga ligji tjetër që ju të pezulloni pra funksionin tuaj edhe për 6 muaj të tjera që kërkoni në shqyrtim. Pra këto 6 muaj që ju kërkoni në shqyrtim nuk do të ketë ndonjë veprim ekzekutiv nga ana juaj. Ajo që do të shtoja është se ju jeni Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Do të doja një përgjigje nga ana juaj se sa dosje keni shqyrtuar ju nga vitit 2013 kur keni filluar punën deri në vitin 2015 dhe sa vendime kemi për kthimin dhe kompensimin. Ti bëj të gjithë këto pyetje për një arsye, duke besuar tek relacioni i parë që thoni për shkak të efektit të punës së komisionit, gjë që nuk është realitet. Ky 6 mujor që po ju japin a ju krijon ju mundësi për të marrë ndonjë vendim të caktuar për kthim dhe kompensim të pronave. Flas nga pikëpamja fizike se në aspektin financiar është një proces tjetër që ju e keni nisur tashmë. Dhe ajo që do të bëja si pyetje shtesë, është sa është fondi i kompensimit dhe i kthimit fizik që keni sot që ju keni në dispozicion. Për të arritur, ju keni rreth 8300 dosje, do me thënë 8300 dosje nuk u shqyrtuan dot nga 2013 deri në 2015, 6 muaj janë të mjaftueshme për ti shkuar saj çka ngre shqetësim kolegu im Fino?”, tha Mediu.

Në përgjigje të shqetësimit të ngritur në mbledhjen e Komisioni, drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave theksoi ka përfunduar procesi i draftimit të projektligjit të ri. “Do të doja se pjesë e relacionit të projektligjit është edhe fakti që është përmendur në relacion fakti që sot në Ministrinë e Drejtësisë është depozituar draft projektligj i iri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Pra ne nuk jemi në ndonjë proces draftimi apo shkrimi të këtij draft. Tashmë drafti është përfunduar. Propozimi ynë është tërësuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe ne jemi në një fazë konsultimi me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të Zyrës së Regjistrit të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut pasi ata janë duke e parë në aspektin e mbrojtjes nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Për shkak edhe të faktit dhe problematikës së madhe që ka shqyrtimi i çështjeve në Gjykatën e Strasburgut dhe masa e lartë e dëmshpërblimeve të përcaktuara në këto vendime për shtetin shqiptar dhe qeverinë”, tha Qato.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb