Është zhvilluar këtë të hënë mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku po shqyrtohet projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.

Gjatë diskutimeve Enkelejd Alibeaj, ka shtruar pyetjen nëse dosjet do të hapen për këdo dhe për secilin me kërkese të pamotivuar sipas ligjit për motivim?

“Të shkallmohet dera, që mban të mbyllura dosjet e sigurimit. Dosjet të hapen pa asnjë kufizim, pra vetëm me kufizimin që të mos cënohet siguria kombëtare.  Ajo që po pretendojmë ne është shumë herë më tepër, jo vetëm të kontrollohet, por të mos kontrollohet nga një dorë e vetme”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu theksoi se Autoriteti i Dosjeve ka rënë pre e shantazheve dhe se që kjo të mos ndodhë, duhet çdo person i Republikës së Shqipërisë të njihet me dosje e Sigurimit të Shtetit.

“Nëse do të ndodhë që amendamenti ynë të pranohet, pra që çdo person ka të drejtë të marrë informacion dhe kopje të dokumentacionit dhe sigurimit të shtetit sipas ligjit, janë disa ligje që do të duhet të bien, pasi përjashtojnë të drejtën e çdo individi për informim për dosjet e Sigurimit. Nëse miratohet amendamenti ynë të gjitha këto dispozita minimalisht bien. Kur thuhet që i jepet vetëm të prekurve, apo të favorizuarve, fjala vetëm bie. Pra këtë duhet ta diskutojmë që tani, pasi nuk mund t’i rikthehemi edhe njëherë. Hapen dosjet për këdo dhe për secilin me kërkese të pamotivuar sipas ligjit për motivim?”, ka thënë Alibeaj.

Më tej ai shtoi: E vërteta është kjo, ka pasur një amendament nga ju për ligjin e dosjeve, dhe ishte vetëm një pikë që do të thotë shfuqizimi i pengesës që kushdo që është verifikuar njëherë, të mos jetë si pengesë. Dhe them se nuk ka moment më optimal për të diskutuar amendamentin tonë. Ju thoni që Autoriteti të mos pengohet nga Komisionet Mezini dhe Bezhani. Kjo ngjarje ka marrë udhë nga dokumentacioni i korrikut që doli nga Autoriteti që bënte fjalë për çështjen I.M. me urgjencë nga Autoriteti u vlerësua që ka një informacion dhe erdhi tek kryetarja e Kuvendit. Ishte ky moment ku ne depozituam diçka që hiqte çfarëdolloj mundësie që ky dokument të përdorej për shantazh. Autoriteti dhe kushdo tjetër nuk duhet të jetë e vetmja dore që të shohin dosjet sepse lehtësisht mund të bien pre e shantazheve politike. Tani si i bëhet që dosjet të shihen deri në fund pa asnjë kufizim dhe si i bëhet që të hiqet mundësia e abuzimit? Ka vetëm një mënyrë, të mos jetë Autoriteti e vetmja dorë që i sheh , por çdo person i Republikës së Shqipërisë që ka të drejtën të njihet me dosje e Sigurimit të Shtetit. Ne e paraqitëm në këtë mënyrë dhe momenti është tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb