TIRANË- Komisioni parlamentar i shëndetësisë diskuton sot për Këshillin e Shoqatave civile. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi tha se sipas draftit një grup shoqatash i merr të gjitha fondet.

“Edhe në qeverinë tonë dhe në qeverinë tuaj një grup shoqatash i marrin të gjitha fondet. Si mund të çahet kjo? 80 përqind e projekteve të destinuara për OJQ-të dhe OJF-të janë përfituar nga shoqata fantazmë. Eksperiencat në rajon tregojnë se këshilli në përbërjen e tij ka në shumicë përfaqësues të shoqërisë civile dhe jo të qeverisë sikundër parashikoni ju në ligj. Kryetari i këshillit kombëtar të shoqërisë civile të bëhet me zgjedhje dhe jo të përcaktohet nga qeveria dhe të jetë një ministër. Në projektet e dhëna nga qeveria janë dhënë para nga qeveria për FRESSH-in ose për anëtarët e bordit të këtij këshilli nga fondet e AMSHC. Kjo është në kundërshtim me ligjin. 18 milion lekë janë dhënë për një projekt klientelist që ka në fokus kariesin tek personat me aftësi të kufizuara. AMSHC organizëm qeveritar për dhënien e fondeve shoqërisë civile, i ka dhënë vitit të shkuar 7.5 milion lekë qendrës rinore socialiste”, deklaroi Vokshi.

Ndërkaq deputetja socialiste, Klodiana Spahiu tha se është bërë një punë e gjatë nga shoqatat dhe qeveria për këtë ligj që është diskutuar me shoqërinë civile. “Këtu nuk duhet të bëjmë komente të tilla po të vlerësojmë punën e bërë. Ligji i konsultuar me grupet e interesit dhe në përputhje me udhërrëfyesin”, tha Spahiu.

Edhe deputeti Ylli Ziçishti, tha se është skandal që paratë për shoqërinë civile i shkojnë FRESSH-it.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb