ITALI-Reforma e drejtësisë në vendin tonë do të jetë në axhendën e punimeve të seancës së kësaj të premteje në Komisionin e Venecias. Referuar axhendës së publikuar të këtij komisioni, të pranishëm në seancën e nesërme do të jenë edhe ekspertë nga Shqipëria.

Bisedimet do të fokusohen në draftin e hartuar të reformës në drejtësi si dhe në opinionin e dorëzuar pranë Komisionit të Venecias nga PD. Gjithashtu, pjesë e diskutimit pritet të jenë edhe komentet e katër ekspertëve të Venecias të cilët kanë qënë në Tiranë, Bartole, Suchoka, Hamilton dhe Vardzeladshvili.

Drafti i reformës në drejtësi, i organizuar në 58 nene, u shqyrtua nga Komisioni i Venecias më 24 tetor. Kjo reformë, e kthyer në kryefjalën e aktualitetit politik në Shqipëri, konsiderohet sfida më e madhe e maxhorancës së majtë që synon pastrimin e drejtësisë nga korrupsioni, shkëputjen nga influencat politike dhe kthimin e pavarësisë sistemit gjyqësor.

Kjo reformë, e cila ka ekspertizën dhe vëmendjen e jashtëzakonshme të faktorit ndërkombëtar, u iniciua më 27 nëntor 2014 nga Kuvendi me vendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar.

Thelbi i saj, sipas drejtuesve të komisionit, është ndryshimi rrënjësor i organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në funksion të nevojës për të dhënë drejtësinë e kërkuar, për të rritur besimin e publikut tek drejtësia dhe për t’i bërë misionet e sistemit të drejtësisë, të pavarura dhe të besueshme.

Pjesë e diskutimeve në Komisionin e Venecias do të jenë edhe ekspertët e opozitës, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb