Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë”, deklaron se  vendi ndodhet në një krizë të thellë politike, zgjidhja e të cilës mund të arrihet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Numri dy i PD-së thotë se miratimi i reformës zgjedhore është një nga mjetet që mund të kontribuojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, e më tej shton se Partia Demokratike dhe Opozita kanë shprehur vullnetin të marrin pjesë dhe japin kontributin e tyre. Sa i përket opinionit të Komisionit të Venecias, Spaho shprehet se ky institucion ligjor nuk ka tagër të gjykojë zgjedhjet.

Në lidhje me hetimin ndaj Presidentit Meta, Spaho deklaron se në aktet e Presidentit Meta nuk ka shkelje ligjore, por vetëm zbatoim të Kushtetutës duke u bërë garant i unitetit të popullit dhe evitoi konfliktin civil. Duke e cilësuar komisionin për hetimin e Presidentit si qesharak, Spaho shton se anëtarët e këtij komisioni “janë të kompromentuar në qëndrimet e tyre dhe nuk kanë çfarë të hetojnë përveçse do zbatojnë urdhrin e Ramës për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kapjen nga Rama të të vetmit institucion që i ka mbetur pa shtrirë tentakulat e tij”.

Pak ditë më parë z.Paskal Milo tha se flitet për një marrëveshje PS-PD për Reformën Zgjedhore dhe që sipas tyre kjo do të realizohet edhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, por lidhur më këtë ka edhe zëra nga “Opozita e re”. Ju si Nënkryetari i Partisë Demokratike çfarë qëndrimi do të mbani? Si do reagoni?

Sot për këdo është e qartë që vendi ndodhet në një krizë të thellë, në radhë të parë politike, zgjidhja e të cilës mund të arrihet vetëm me mjete politike dhe që janë zgjedhjet e parakohshme. Hartimi dhe miratimi i reformës zgjedhore është një nga mjetet që mund të kontribuojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, por jo i mjaftueshëm. Partia Demokratike dhe Opozita kanë shprehur vullnetin të marrin pjesë dhe japin kontributin e tyre në hartimin e reformës zgjedhore. Hartimi dhe miratimi i reformës zgjedhore deri në fund të vitit, është prioritet edhe i përfaqësuesve ndërkombëtarë. Mjafton të kujtojmë dy dokumentet e fundit, raportin e OSBE/ODIHR për votimet e 30 Qershorit dhe atë të Bundestagut për hapjen e negociatave. Për këtë qellim, Opozita ka paraqitur me shkrim qëndrimin e saj për përmbajtjen dhe mënyrën se si duhet hartuar kjo reformë. Këtë e bëmë në tryezën e OSBE për reformën zgjedhore si dhe me dokumentin prej 5 pikash të prezantuar publikut para disa ditësh nga Kryetari Basha. Për fat të keq, Kryeministri Rama ju përgjigj propozimeve të Opozitës me arrogancë, me sarkazma të cilat shprehin qartë mungesën e dëshirës për të hartuar dhe miratuar reformën zgjedhore. Nuk ka asnjë bisedim apo negociata të fshehta midis palëve.

Partia Socialiste thotë se Komisioni i Venecias në opinion e tij të publikuar paraprakisht, legjitimoi 30 Qershorin. Sipas jush a mundet që një Komision i tillë të jetë bazë vendimtare dhe certifikuese për zgjedhjet në Shqipëri?

 Komisioni i Venecias si organizëm ligjor në strukturën e Këshillit të Evropës nuk ka asnjë tagër që të gjykoje zgjedhjet në vende të ndryshme. Në Këshillin e Evropës funksionon Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i cili refuzoi t’i monitorojë votimet e 30 Qershorit pasi i konsideroi votime moniste, pa pjesëmarrjen e opozitës. Komuniteti ndërkombëtar, çështjet zgjedhore në Evropë ja ka ngarkuar OSBE dhe ODIHR si dy organizma të specializuara në këtë fushë. Ato që paraqesin qëndrimin zyrtar të tyre për zgjedhjet në çdo vend ku bëjnë observim. Këto organizma dërguan në Shqipëri monitoruesit afatgjatë dhe afatshkurtër dhe në fillim të muajit Shtator paraqitën raportin përfundimtar për vlerësimin e votimeve të 30 Qershorit. Sipas raportit të tyre, votimet e 30 Qershorit nuk u zhvilluan në interesin e qytetarit, u votua me një kandidat në shumicën e bashkive kurse në bashkitë e tjera kandidati i dytë u regjistrua në thyerje të rregullave dhe jashtë afateve ligjore, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor vepruan nën diktatin e qeverisë, gjatë ditës së votimit dhe gjatë numërimit pati parregullsi të mëdha të cilat manipuluan rezultatin duke bërë që ai të mos publikohej as tre javë pas zgjedhjeve. Për gjithçka më sipër OSBE/ODIHR ka dhënë rekomandimet përkatëse se si duhet vepruar. Raporti i OSBE/ODIHR i ka cilësuar votimit e 30 Qershorit si votime kundër interesave të qytetarëve dhe moniste dhe Komisioni i Venecias nuk ka të bëjë fare me këtë çështje. Votimet e 30 Qershorit duhet të përsëriten dhe zhvillohen sipas përcaktimeve të Kushtetutës së vendit tonë. 

Më 11 tetor Komisioni i Venecias do të paraqesë raportin përfundimtar lidhur me çështjen e vendimmarrjes së Presidentit Meta sa i takon anulimit të datës së zgjedhjeve. A duhet të vijojë punën Komisioni hetimor parlamentar dhe a mundet që ta shkarkojnë Kreun e Shtetit?

 Nga sa kemi parë deri tani në raportin paraprak të Komisionit të Venecias, flitet për tejkalim të kompetencave. Kushtetuta e Shqipërisë nuk e ka nocionin e tejkalimit të kompetencave. Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm për “shkelje” ose “shkelje të rëndë” të Kushtetutës dhe të tilla nuk ka pasur nga Presidenti i Republikës. Përkundrazi, Presidenti i Republikës me ç’dekretimin e 30 Qershorit dhe caktimin e një date tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, zbatoi Kushtetutën duke u bërë garant i unitetit të popullit dhe evitoi konfliktin civil. Komisioni hetimor parlamentar është qesharak pasi të gjithë anëtarët e komisionit kanë votuar rezolutën e Kuvendit për rrëzimin e dekretit të Presidentit për shtyrjen e votimeve të 30 Qershorit. Ata janë të kompromentuar në qëndrimet e tyre dhe nuk kanë çfarë të hetojnë përveçse do zbatojnë urdhrin e Ramës për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kapjen nga Rama të të vetmit institucion që i ka mbetur pa shtrirë tentakulat e tij.

Në një nga mbledhjet që zhvilloi kreu i PD, Lulzim Basha u tha se po përgatitet për zgjedhje të reja, parlamentare dhe lokale të gjitha në një ditë. Nëse nuk bëhen zgjedhje të parakohshme deri në 2021, si do ta detyrojë opozita Ramën për të realizuar atë që ju kërkoni?

 Zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme nuk janë vetëm kërkesë e Opozitës, por janë kthyer në kërkesë të komunitetit ndërkombëtar. Në dokumentin e Bundestagut theksohet se që të zhvillohet mbledhja e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave duhet që të jenë ngritur Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe të jetë miratuar reforma zgjedhore. Ky takim parashikohet të zhvillohet diku nga muaji Mars i vitit të ardhshëm. Mbledhja e dyte ndërqeveritare e cila zhvillohet 6 muaj pas të pares, ka 7 kushte ku i pari është që të jetë zbatuar reforma zgjedhore. Zbatim i reformës zgjedhore do të thotë të jenë zhvilluar zgjedhjet e parakohshme me kodin e ri të miratuar. Të gjithë e kanë të qartë dhe janë të bindur se kriza politike në Shqipëri tejkalohet vetëm me zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Vetëm Edi Rama nuk dëshiron ta pranojë sepse pas kësaj ai humbet pushtetin dhe kolltukun e qeverisjes pas të cilit janë lidhur të gjitha interesat e tij pasurore dhe korruptive./koha jone

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb