TIRANË- Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit informon për gjendjen në vend si pasojë e motit me reshje.

Sipas këtij komiteti, mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me reshje mesatare dhe të larta shiu, të cilat priten të intensifikohen më 30 nëntor – 2 dhjetor në gjithë territorin e vendit.

Në Kryeministri është zhvilluar mbledhja e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, në nivel të Sekretarëve të Përgjithshëm, ku është diskutuar për punën e bërë për parandalimin e emergjencave, problematikat sipas fushave dhe detyrat për secilin institucion. Në vijim janë marrë këto masa:

– Janë bërë njoftime publike për nivelin e rrezikut dhe adresat e evakuimit të mundshëm;
– Janë ngritur shtabet e emergjencës në të gjitha qarqet;

– Janë bërë inspektime të gjithanshëm në të gjitha nyjat kritike në vend, si nga prefektët ashtu dhe nga drejtuesit e strukturave të tjera shtetërore;

– Janë kontaktuar kontraktorët privatë që kanë përgjegjësi në mirëmbajtjen e rrugëve;
– Ka vazhduar puna për zhbllokimin e kanaleve kulluese në të gjithë vendin;
– Janë inspektuar dhe mbahen nën vëzhgim prurjet në lumenj dhe përrenj;
– Ka vazhduar puna për mirëmbajtjen dhe riparimin e problemeve në rrjetin elektrik dhe atë të furnizimit me ujë.

Pasqyra e problemeve kryesore të evidentuara
Siguria e jetës- Një elektricist i OSHEE humbi jetën gjatë punës në Fier dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë punës në Shkodër. Janë evakuuar 20 persona në Gjirokastër, 7 në Berat dhe po evakuohen 10 në Tiranë.

Rrugët- Kryesisht të lira. Të bllokuara nga bora Rruga Bogë-Theth në Qafën e Thorës. Probleme në Autostradën Tiranë-Durrës dhe në disa rrugë dytësore, që janë pastruar. Rrëshqitje dheu në rrugën Tiranë-Ndroq. Prezencë uji në aksin kombëtar Mjedë-Shkodër.

Energjia elektrike- Ka pasur problem furnizimi me energji te dy hidrovorëve të Velipojës, që ndërkohë është zgjidhur. Janë pa energji rreth 75,000 mijë abonentë dhe nuk janë në funksionon 62 fidera.

Uji- Dëmtime të pjesshme të ujësjellësit të Bulqizës, pa u ndërprerë furnizimi.
Shkollat- Është ndërprerë mësimi në të gjithë shkollat e vendit.
Banesat- Janë përmbytur 10 banesa në Kamëz.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb