Komiteti i prindërve të fëmijëve të kopshtit turk të mbyllur Zybeyde Hanim me anë të një letre u janë drejtuar ambasadave të huaja na vend dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të ndarë sipas tyre shqetësimin për padrejtësitë dhe zhgënjimin me të cilin e nisën jetën fëmijët tanë, të grupmoshës 3-6 vjeç.

LETËR E HAPUR DREJTUAR:

AMBASADËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË TIRANË

DELEGACIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI

AMBASADËS E MBRETËRISË SË BASHKUAR NË TIRANË

AMBASADËS SË FRANCËS NË TIRANË 

AMBASADËS SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË

AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË ITALISË NË TIRANË

AMBASADËS SË HOLANDËS NË SHQIPËRI

AMBASADËS SË SPANJËS NË SHQIPËRI

AMBASADËS SË SUEDISË NË SHQIPËRI

AMBASADËS SË GREQISË NË TIRANË

KËSHILLIT TË EVROPËS

ORGANIZATËS PËR SIGURI DHE BASHKËPUNIM NË EVROPË

ZYRË SË KOORDINATORIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA

DEPARTAMENTIT TË MBROJTJES DHE SIGURISË SË KOMBEVE TË BASHKUARA

FONDIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR FËMIJËT

BANKËS BOTËRORE

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Drejtues të delegacioneve, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri,

Ne, prindërit e 253 fëmijëve të kopshtit të mbyllur “Zybeyde Hanim” ndajmë me ju shqetësimin tonë të përbashkët, për padrejtësitë dhe zhgënjimin me të cilin e nisën jetën fëmijët tanë, të grupmoshës 3-6 vjeç.

Sikurse jeni në dijeni, Kopshti “ Zubeyde Hanim”, Tiranë, ka qenë papritur objekt i inspektimeve të shtuara  të cilat nuk i përgjigjen asnjë plani monitorimi apo inspektimi nga organet në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ( MAS), të cilat kulmuan me miratimin e Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit nr.540, datë 15.09.2022 “Për mbylljen e veprimtarisë së institucionit privat të arsimit parauniversitar ‘Zubeyde Hanim’, Tiranë”.

Në raportet e inspektimit është konstatuar se ky kopsht përmbush të gjithë kriteret e ligjshmërisë  si dhe është lënë rekomandim nga inspektorët marrja e miratimit për ndryshimin e vendndodhjes së kopshtit, në dukje një procedurë për t’ia përshtatur ligjit, gjë që ka gjetur mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë të Shoqërisë Turgut Ozal për ta zbatuar, duke respektuar të gjitha kërkesat e grupeve të inspektorëve.

Të nderuar Shkëlqesi,

Kopshti jopublik “Zubeyde Hanim” është institucion i licencuar me Urdhrin e Ministrit Nr.67, datë 15.10.1998, me adresë në Rrugën e Kavajës. Ky institucion, që nga viti 2004 ka vazhduar veprimtarinë e tij me standarde më moderne dhe duke përfshirë të gjithë inovacionet teknologjike në mbështetje të procesit mësimor, në kompleksin arsimor parauniversitar jopublik “Turgut Ozal”.

Gjatë kësaj periudhe 24 vjeçare, ky institucion ka ushtruar veprimtarinë e tij nën monitorimin e autoriteteve përkatëse në bashkëpunim korrekt me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si edhe institucioneve të tjera në varësi të saj, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm.

Në këto kushte, kur ne si komunitet prindërish jemi dëshmitar të cilësisë së arsimit që ofrohet në këtë institucion, por edhe të infrastrukturës arsimore nga më modernet në Shqipëri,  vendimi i MAS nxit shqetësimin tonë jo vetëm si prindër, por edhe si qytetarë, ndaj nivelit të brishtë të demokracisë shqiptare, ku padrejtësia prevalon lehtësisht ndaj së drejtës së individit, dhe e gjitha kjo në një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Arsyet e paraqitura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për mbylljen e Kopshtit Zybeyde Hanim, mbështeten mbi argumente të pavërteta të përgatitura nga inspektorët e institucioneve në varësi të Ministrisë, të cilat sipas nesh, janë të diktuara dhe të përligjura në përputhje të plotë me interesat politike të momentit, larg çdo logjike racionale të argumentuar mbi fakte dhe prova, duke rezultuar kështu në shkelje flagrante të ligjit që rregullon arsimin parauniversitar. Ky është edhe konkluzioni i përgjithshëm në të cilin kanë arritur edhe shumë akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dhe së fundmi edhe Këshilli i Evropës, i cili e cilësoi këtë si një vendim arbitrar me prapavija politike.

Për sa më sipër, ne si komunitet i prindërve, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për mbylljen e aktivitetit të Kopshtit Zubeyde Hanim, i jemi drejtuar Gjykatës Administrative të rrethit gjyqësor Tiranë, për pezullimin e zbatimit të akteve administrative dhe shfuqizim të vendimeve.

Dosja përmban mbi 1400 faqe me prova që dokumentojnë dëmin e shkaktuar te fëmijët dhe faktojnë vendimin e padrejtë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Legjitimimi i 134 paditësve, prindër të fëmijëve të Kopshtit Zubeyde Hanim, mbështetet në prova dhe argumente bindëse, mes të cilave mund të parashtrohen këtu disa:

  1. Kërkesat e herëpashershme të institucionit arsimor të drejtuara institucioneve në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe mos-marrja e asnjë përgjigjeje;
  2. Dokumentimi i ekzistencës së aktit higjieno-sanitar qoftë në momentin e inspektimit, nga inspektorët e institucioneve në varësi të MAS, po aq edhe nga një tjetër akt i rimarrë nga institucioni brenda muajit shtator;
  3. Përgjigjet negative të marra nga familjet e fëmijëve prej kopshteve publike dhe private të rekomanduara nga MAS për të pranuar fëmijët e tyre pas mbylljes së kopshtit Zubeyde Hanim;
  4. Situata e rënduar psikologjike e fëmijëve, e dokumentuar kjo përmes akt-ekspertizave nga psikologë të licencuar në Republikën e Shqipërisë;
  5. Të gjitha aktet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që mbështesin të drejtën e arsimimit të fëmijëve;

Ndërkohë, bëjmë me dije se pas shortit të hedhur për gjyqtarin që do të gjykonte padinë tonë si prindër, përmes avokatit të çështjes, jemi vënë në dijeni se znj. Selvie Gjocaj, e cila do të ndiqte këtë rast, ka paraqitur kërkesë për të hequr dorë nga shqyrtimi i çështjes, e pranuar kjo nga Kryetarja e Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më tej, çështja i ka rënë me short znj.Afërdita Maho, gjyqtare e cila më parë rrëzoi kërkesën e Kompanisë Turgut Ozal drejtuar Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë për sigurim të padisë pas vendimit të MAS për mbylljen e Kopshtit Zubeyde Hanim.

Pas këtyre zhvillimeve, ne vijojmë të mbetemi të shqetësuar për mos marrjen nga gjykata të një vendimi për kërkesën për sigurimin e padisë brenda afatit 5 ditor të parashikuar në ligj, ndërkohë që kanë kaluar 9 ditë nga paraqitja e kërkesës dhe nuk është caktuar ende asnjë datë.

 

Në këto kushte, kërkojmë vëmendjen tuaj, brenda të gjitha kompetencave që iu njeh detyra, për të qenë dëshmitarë të vijimësinë së mbarëvajtjes së një procesi gjyqësor sa më të drejtë, në përputhshmëri me standardet e vendeve të zhvilluara dhe familjes së madhe evropiane, në të cilën aspirojmë të bëhemi pjesë.

Ndajmë mendimin se të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për zhvillimin e demokracisë shqiptare, e cila fatkeqësisht, edhe pas më shumë se tre dekadash pluralizëm, vijon të mbetet ende e brishtë, me institucione që nuk garantojnë besimin dhe sigurinë e qytetarëve, ku interesi i pushtetarit qëndron mbi atë të qytetarit, në një moment, kur sot, në vitin 2022, Shqipëria duhet t’u bashkohet vendeve ku shteti garanton mbrojtje dhe siguri për qytetarët e vet.

 

KOMUNITETI I PRINDËRVE TË KOPSHTIT ‘ZUBEYDE HANIM’

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb