Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të mbështesë direkt njësitë vendore që janë të afta të implementojnë projekte dhe kanë treguar se performojnë më mirë. Ai tha se ne kërkojmë që edhe Komisioni Europian t’i shikojë bashkitë si një prioritet dhe partnerë në implementim.

Këto deklarata Veliaj i bëri gjatë Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Europian që zhvilloi në Tiranë takimin e 23-të me fokus Ballkanin Perëndimor, si një mundësi fantastike për shkëmbimin e ideve dhe përfitimit nga projektet.

“Një nga bisedat që ne kemi bërë me kolegët e BE, ka ardhur koha që edhe Komisioni Europian të mbështesë direkt bashkitë që janë të afta të implementojnë dhe që mund të çojnë këto kauza përpara. Si unë si Voltana që drejtojmë dy shoqatat e bashkive marrim feedback konstant për nevojën për më shumë shkolla, kopshte, çerdhe, gjelbërim dhe kjo është një nga arsyet dhe kjo është një nga arsyet pse ne kërkojmë që edhe Komisioni Europian t’i shikojë bashkitë si një prioritet dhe partnerë në implementim. Një nga gjërat për të cilën ndjehem shumë mirë është që qytetet gjithmonë e më shumë po bëhen pjesë qendrore e axhendës evropiane. Do të thotë që qytetet kanë rëndësi”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë theksoi se vende si Shqipëria mund të përfitojnë nga përvoja dhe modelet e suksesshme të aplikuara në perëndim për t’i zbatuar ato.

“Sot në mëngjes ishim duke diskutuar me kolegët në parlament dhe besoj që do të kemi mbështetje bipartizane për çështje të tilla, për të dhënë disa incentiva për ekonominë e gjelbër, për të hequr taksat ose për t’i minimizuar taksat për autobusët elektrikë, për makinat elektrike. Pra ndonjëherë avantazhi i të qenit i paavantazhuar siç është Shqipëria një vend në zhvillim është që mund t’i kalosh menjëherë etapat dhe shumë etapa që qytetet i kanë kaluar në vitet ’90 me trame, me kabllo ne mund të kalojmë menjëherë aty ku është teknologjia më e fundit. Qofshin këto mjetet elektrike, qofshin këto biçikletat që hapen e mbyllen me celular, qofshin shumë prej nismave të gjelbra që nuk kanë nevojë të shpikim rrotën por mund të kapim qytetet evropiane në fazën ku ato janë sot”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë inkurajoi dhe binjakëzimin e qyteteve në Shqipëri me ato në Europë, për të bashkëpunuar në projekte konkrete në shërbim të komunitetit.

“Një nga gjërat që duam të inkurajojmë në të dy shoqatat dhe anëtarët tonë është që të gjejmë një mundësi ndoshta edhe me anëtarë të komunitetit të bëjmë disa binjakëzime të qyteteve. Kur them binjakëzime nuk flas për fotografitë që bëhen, firmat dhe protokollin flas në fakt për binjakëzime të projekteve konkrete që implementohen dhe që ne mund të mësojmë në mënyrë të jashtëzakonisht me nga njëri-tjetri”, tha ai.

Veliaj theksoi se përtej bindjeve politike, të gjithë janë më të interesuar për të pasur qytete sa më funksionale dhe të jetueshme për qytetarët.

“Dua të përshëndes dhe koleget e opozitës që janë këtu më ne, sepse besoj se nga ky debat të gjithë dalim më të fituar. Unë e di që ne mund të kemi ideologji të ndryshme të majta ose të djathta, por besoj se të gjithë jemi praktikë kur vjen puna te menaxhimi i qyteteve, mbledhja e plehrave, autobusët që vijnë në kohë, mbjellja e pemëve, cilësia e ajrit, janë çështje pa parti. Dhe pavarësisht bindjeve tona, në fund të ditë të gjithë duam të kemi qytete funksionale, dhe takime të tilla të cilat na mësojnë sesi qytetet mund të bëhen më funksionale janë gjithmonë të mirëpritura”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb