Një kompani e Forcave të Armatosura shqiptare do të marrë pjesë në një ndër stërvitjet më të mëdha të NATO-s në vitet e fundit. Në Komandën e Forcës Tokësore në Zall – Herr, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së kompanisë së II-të të Batalionit të II-të Këmbësorisë (k2b2k), e cila do të marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët “Anakonda-16” që do të zhvillohet në Drawsko Pomorskie të Polonisë në datat 7-17 qershor 2016.

Në këtë stërvitje, k2b2k do të marrë pjesë me personelin e saj të plotë prej 127 ushtarakësh. Qëllimi kryesor i kësaj stërvitjeje është testimi i kapaciteteve luftarake, dislokueshmëria dhe ndërveprueshmëria e çdo njësie. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Ylber Dogjani, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmir Lokaj etj.

Në fjalën e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, theksoi se FA janë në një fazë intensive të rritjes së operacionalitetit dhe gatishmërisë. “Jeni në fazën kur po forcoheni, po konsolidoheni nga ana organizative, trajnuese dhe rritjes së operacionalitetit, për të qenë të gatshëm për të marrë gatishmërinë e lartë e të plotë në vitin që vjen, në kuadrin e Brigadës së Përbashkët të Gatishmërisë së Lartë (Very High Readiness Joint Task Force) me në krye Britaninë e Madhe. Pa u kthyer ende kompania e “zemërluanëve”, po niset kompania e dytë në një tjetër stërvitje tepër të rëndësishme, dinjitoze dhe me profil të lartë të Aleancës sonë të madhe, që është kompania e dytë. Personalisht jam besimplotë që do të dilni faqebardhë dhe do të kurorëzoni me sukses stërvitjen e gjatë, më përkushtim, me sakrifica siç keni bërë deri tani.” -iu tha gjeneralmajor Bazo trupave pjesëmarrës.

Stërvitja “Anakonda-16” është një stërvitje ndërkombëtare, në të cilën marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 24 vende aleate dhe partnere, mes të cilave edhe Kosova.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: