Në Shqipëri numërohen mbi 700 mijë konsumatorë të duhanit, të cilët preken direkt nga projektligji i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili po diskutohet në parim në komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.

Ndryshimet në ligjin ekzistues ndalojnë konsumimin e cigareve me diegie dhe ato elektronike në ambientet e brendshme, njësoj siç veprohet sot me cigaret klasike.

Por drafti kundërshtohet në këtë pikë nga importuesit dhe tregëtuesit e duhanit alternativ, të cilët ngrenë pretendimin se cigaret inovative janë 95% më pak të dëmshme dhe se shërbejnë për lënien e duhanit.

Krejt ndryshe mendon Ministria e Shëndetsisë si dhe përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetsisë në Tiranë.

E ndërsa qeveria propozon ashpërsim të ligjit për duhanpirjen, komuniteti i kompanive të licensuara që importojnë dhe tregëtojnë duhanin në Shqipëri fajsojnë ekzekutivin se ka dështuar në ndalimin e tregëtimit të paligjshëm që sipas tyre, llogaritet në 40% të totalit të duhanit që konsumojnë shqiptarët.

News 24 investigoi disa muaj më parë në disa rrugë të kryeqytetit ku tregëtohej hapur duhan me mbushje e ku me 50 lekë të reja mund të blije deri në 70 cigare të bëra vetë.

Por shqetësimi i qeverisë duket se nuk është ky fakt pasi në projektligjin e hartuar nga Ministria e Shëndetsisë e gjithë vëmendja është përqëndruar tek ashpërsimi i gjobës 6 fish e deri në mbyllje të aktivitetit për subjektet tregëtare që kapen në shkelje të përsëritur.

Ndërkohë vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2019 raportohen 296 masa ndëshkimore për konsumim të duhanit në ambiente të ndaluara me ligj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb