Albert Nasto, kryetari i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm deklaroi sot në tryezën e kreut të PD-së Sali Berisha me ekspertë se biznesi harxhon 50% të fitimit vetëm për të paguar energjinë elektrike.

Ai tha se në shumë vende u hoqën disa taksa dhe u stimulua biznesi me ndërhyrje direkte financiare, kurse në Shqipëri nuk e luajti kush as qerpikun, për çështjen e karburantit.

“Jemi vendi me karburantin më të shtrenjtë, 4-5 në botë. Janë gati 9 taksa mbi karburantin. Sot paguajmë gati 1260 lekë për litër karburant, gjë që nuk ndodh askund. Në një kohë kaq të rëndë krize dhe dalje nga pandemia me forcat e veta të biznesit të vogël dhe të mesëm, nuk u bë asnjë favorizim. Në shumë vende u hoqën disa taksa dhe u stimulua biznesi me ndërhyrje direkte financiare. Në Shqipëri nuk e luajti kush as qerpikun, për çështjen e karburantit.
Me rritjen e karburantit u mbyllën mijëra biznese, u mbyllën edhe në pandemi me mijëra. Qeveria shqiptare vazhdon të tregohet indiferente me largimin e mijëra shqiptarëve. Një nga arsyet që janë mbyllur mijëra biznese sot, janë çmimi i karburanteve dhe i energjisë elektrike.
Sa paguajnë bizneset në Shqipëri? I kemi ndarë në 4 kategori biznesesh që paguajnë sot energjinë elektrike.
Kategoria e parë harxhon, çdo biznes, edhe ai i veshmbathjeve, paguan nga 1.8 deri në 2.6 milionë lekë për energjinë elektrike, në vit.
Në kategorinë e dytë fusim, bar kafet, restorantet, fast food, etj. Këta paguajnë nga 8 deri në 15 milionë lekë energji në vit.
Kategoria e 3-të e bizneseve paguan nga 15-25 milionë lekë në vit. Është një shumë e papërballueshme.
Kategoria e katërt paguan nga 30-60 milionë lekë në vit. Çdo biznes paguan qeverinë shqiptare.
Kategorinë kryesore e zënë bizneset, kafenetë, restorantet, fast-food, etj. 35 deri në 50 % të fitimit të tij, biznesi e paguan energji elektrike”, deklaroi Nasto.

Nasto ka akuzuar 3 kompanitë që menaxhojnë energjinë elektrike për korrupsion, për të cilat tha se këto miliona euro që përfitojnë, shkojnë për të blerë zgjedhjet.

“Pra ta themi, biznesi po e pëson, e ka në kurrizin e tij çmimin e lartë të energjisë, pasi ne prodhojmë energji që ne kemi aftësi dhe prodhojmë afërsisht prodhimin për të plotësuar biznesin dhe qytetarët. Këto që menaxhojnë energjinë elektrike, 3 kompani, po bëjnë korrupsion të lartë me miliona euro. Janë të paafta, janë shumë politike. Këto milionat e eurove që kanë bërë korrupsionin, shkojnë për të blerë zgjedhjet” – tha Nasto.

Gjithashtu Nasto tha se është kokëfortësi e kryeministrit që nuk është ekonomist dhe as tregtar. Nëse do ishte hequr taksat, nëse gjysma e këtyre taksave do ishte ulur, ekonomia dhe biznesi do merrnin frymë. Karburanti dhe energjia janë dy shtyllat kryesore të biznesit. Ne do t’i kemi të gjitha, me rritjen e karburantit u mbyllën mijëra biznese. Përsëri vazhdon që qeveria shqiptare të tregohet indiferente” – tha Nasto.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb