NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Pensionistët që duan të përfitojnë ko mpensimin për energjinë elektrike, i caktuar në masën 648 lekë në muaj, duhet të plotësojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore formularin-tip, i cili botohet sot nga Gazeta. Kompensimi i energjisë elektrike për efekt të heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kwh në muaj përfitohet nga familjet me ndihmë ekonomike, kryefamiljarët në pensione pleqërie e invaliditeti, familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara, të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjikët dhe punonjësit buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj. Përfituesit janë kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, pension pleqërie fshati ose pension social, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

Janë përfitues kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie ose pension social që janë me banim në fshat, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët. Gjithashtu, kompensim përfitojnë pensionistët në rastet kur në të njëjtën familje ka dy pensionistë të vetëm dhe kontrata është në emër të pensionistit jokryefamiljar, ku kompensimin e përfiton pensionisti në emër të të cilit është kontrata e energjisë elektrike. Në rastet kur, si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi u akordohet personave përfitues të pensionit familjar.

VETËDEKLARIMI
Për të përfituar personat duhet të bëjnë një vetëdeklarim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i marrin paratë. Kjo sipas një vendimi qeverie që rregullon mënyrën e përfitimit e ku saktësohet se kjo procedurë zhvillohet pranë institucioneve përkatëse në të cilat përfituesit marrin pagën, pensionin apo përfitimet e tjera. “Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 kwh, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal.

Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet ndër të tjera në vendim, ndërsa theksohet se ata persona që do të bëjnë deklarim të rremë, do të detyrohen ta kthejnë përfitimin e padrejtë si dhe do të përjashtohen, përgjithmonë, nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike. Aktualisht, kompensim të diferencës së çmimit të energjisë elektrike përfitojnë të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar.

Po ashtu, kompensim përfitojnë edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat, si dhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar. Kushti për të përfituar kompensim për këto kategori është që personi të mos ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, dy kategoritë e fundit që kompensohen për energjinë elektrike janë të verbrit si dhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë.

KOMPENSIMI PËR MBROJTJEN E SHTRESAVE NË NEVOJË PËR EFEKT TË HEQJES SË FASHËS SË KONSUMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE DERI NË 300 KWH NË MUAJ
Kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike në masën 648 lekë, e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve, si më poshtë:
a) Kryefamiljar në pension pleqërie shtetëror ose fshati, por me banim në qytet;
b) Kryefamiljar në pension invaliditeti;
c) Nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, jeton vetëm, ose ka fëmijë në ngarkim pa të ardhura;
d) Ka kontratë me OSHEE-në (shënuar në faturën e shitjes apo librezën e dritave në emër të tij);
e) Nuk ka dysheme për konsumin e energjisë elektrike;
f) Nuk ka detyrime të papaguara të energjisë elektrike.

FAMILJET TË CILAT TRAJTOHEN ME NDIHMË EKONOMIKE, FAMILJET QË KANË NË PËRBËRJE ANËTARË ME AFTËSI TË KUFIZUARA, TË VERBËRIT DHE PARAPLEGJIKËT E TETRAPLEGJIKËT.
Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore harton listën emërore të personave që përfitojnë këtë kompensim. Për përfitimin e këtij kompensimi, aplikuesi duhet të paraqesë pranë administratorit shoqëror:
a) Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit;
b) Certifikatë familjare;
c) Fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.
2. Familjarët që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kur personi me aftësi të kufizuara është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar duhet të paraqesë pranë administratorit shoqëror:
a) Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit
b) Certifikatë familjare që vërteton se personi me aftësi të kufizuara është kryefamiljar;
c) Për anëtarë madhorë të familjes, vërtetim nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë;
d) Fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrim të papaguar.
3. Të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:
a) Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit
b) Certifikatë familjare
c) Fotokopje të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose fotokopjen e vendimit të KMCAP-it/ KMVP
e) Fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.
Lista e hartuar nga administratori shoqëror miratohet nga Këshilli i Njësisë së Qeverisjes Vendore.
II. KRYEFAMILJARË QË PËRFITOJNË PENSION INVALIDITETI DHE PENSION PLEQËRIE
1. Lista emërore e pensionistëve kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie ose pension invaliditeti përcaktohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe strukturat rajonale në varësi të tij, bazuar në deklaratën personale të përfituesit. Kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit:
a) Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit;
b) Certifikatë familjare për invalidët;
c) Për anëtarët madhorë të familjes vërtetim nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë;
d) Fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.
2. Kompensimi për pensionistët/invalidët realizohet nga qendra e pagesës së pensioneve sipas gjenerimeve në portalin informatik të pagesave të pensioneve ose mbi bazën e urdhërpagesës së listuar, e cila përgatitet nga strukturat rajonale të ISSH-së. Dokumentimi i pagesës faktike të kompensimit bëhet me një listë-pagesë të veçantë, e cila nënshkruhet nga përfituesi në emër të tij dhe nga qendra paguese/Posta Shqiptare sh.a.
III. KRYEFAMILJARËT QË JANË PUNONJËS BUXHETORË, ME PAGË MUJORE BRUTO NËN 35 MIJË LEKË NË MUAJ.
Përcaktimi i përfituesve do të bëhet nga institucionet përkatëse buxhetore, ku përfituesit marrin pagën bruto nën 35 mijë lekë. Në fillim të procesit të përfituesve dhe sa herë që ndryshojnë kushtet për përfitim, personat përfitues të këtij kompensimi së bashku me deklaratën personale duhet të paraqesin pranë strukturës përkatëse të burimeve njerëzore:
a) Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit;
b) Certifikatë familjare që vërteton se punonjësi buxhetor është kryefamiljar;
c) Për anëtarët madhorë të familjes, vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: