Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Për 81 mijë pensionistë në të gjithë vendin, që nga data 1 shkurt, ka nisur kompensimi i energjisë elektrike i premtuar nga qeveria pas heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovat dhe vendosjen e çmimit të ri të energjisë. Kthimi i shumës prej 6480 lekë të vjetra ka kaluar në mënyrë automatike mbi pensionin, bazuar në listat e vjetra të përfituesve. Nëndrejtori i ISSH-së Astrit Hado sqaron për “News24” kategoritë që përfitojnë këtë kompensim.
“Nëse janë vetëm dy pensionistë në një familje, nuk kanë fëmijë të tjerë ose pjesëtarë të tjerë të familjes të cilët janë të punësuar, të drejtën e marrjes së këtij kompensimi e ka vetëm njëri nga pensionistët. Të drejtën për të përfituar këtë lloj kompensimi e kanë edhe pensionistë të cilët kanë pjesëtarë të familjes në ngarkim, por që janë të papunë.”-deklaroi Hado.
Por, për ta përfituar këtë shumë, pensionistët duhet të plotësojnë një formular të shoqëruar me dokumentacionin e detyrueshëm, pasi në të kundërt shuma e kompensuar do tu rimerret nga pensionet. Dhe një nga kushtet e përfitimit është paraqitja pranë zyrave të ISSH-së e librezës së dritave të paguara.
“Një certifikatë familjare që vërteton që janë kryefamiljarë, si dhe një kopje të kartës së identitetit dhe kontratën e dritave që duhet të jetë në emrin e tyre. nuk mund të kompensohet një pensionist kur kontrata për shembull është në emër të djalit. nëse kanë pjesëtarë të familjes të cilët janë të papunë, të sjellin vërtetimet përkatëse nga zyrat e punës.”- sqaron Hado.
Më shumë sesa t’i gëzohen faktit të kompensimit pensionistët ankohen për problemet me faturimet e energjisë elektrike, të cilat nuk arrijnë t’i paguajnë duke u krijuar pengesa edhe për kompensimin.
Radhët e gjata pranë zyrave të ISSH-së tregojnë interesin e të moshuarve për të marrë kompensimin. Për të shmangur pritjet e gjata, Hado u drejtohet pensionistëve të mos nxitohen, pasi kanë kohë te mjaftueshme deri më 25 prill për plotësimin e dokumentacionit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb