Pranimi i përgjegjësisë nga Irani për rrëzimin e avionit ukrainas të pasagjerëve që la 176 të vdekur, ka ngjallur zemërim dhe mosbesim tek familjet e viktimave dhe ka shtuar thirrjet ndërkombëtare për përgjegjësi. Ndërsa familjet vajtojnë të dashurit, ka diskutime për kompensim monetar për humbjen e tyre.

Një pikëllim i thellë pasoi rrëzimin e avionit me destinacion Kievin pranë Teheranit, duke vrarë të gjithë njerëzit në bord. Përballë presionit ndërkombëtar, autoritetet iraniane kanë premtuar një hetim të plotë.

Deri tani, qeveria ka njoftuar arrestime por nuk ka dhënë hollësi. Autoritetet gjithashtu kanë ftuar ekspertë perëndimorë të marrin pjesë në hetim. Por, është e paqartë se çfarë roli do të kenë ekspertët në këtë proces:

“Unë e vlerësoj që iranianët lejuan pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Boeing-ut, por duket se ata ndoshta do të kenë më së shumti statusin e vëzhguesit, dhe nuk do të jenë të përfshirë direkt në hetim”, thotë Michael Bociukiv, analist me grupin Global Affairs.

Iranit iu deshën tre ditë për të pranuar fajësinë për rrëzimin e avionit. Ky pranim është ende larg një deklarate për familjet e viktimave, thotë avokati me qendër në Uashington, Gene Burd:

“Irani e pranoi faktin që rrëzoi avionin ukrainas. Ajo që Irani nuk pranoi është se ata janë përgjegjës për dëmet”.

Kanadaja dhe Ukraina, nga ku ishin shumë prej viktimave, kanë kërkuar drejtësi dhe kompensim për familjet.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se viktimat mund të presin një shumë të vogël nga kompania ajrore. Sa i përket dëmeve kompensuese nga Irani, eksperti ligjor Kenneth Feinberg thotë se kjo do të varet nga gatishmëria e Teheranit për të marrë pjesë në proces:

“A do ta vihen gjykatat iraniane në dispozicion të procesit gjyqësor për të gjykuar çështje kundër Iranit? A do të pranojë Irani që të paditet në ndonjë gjykatë tjetër, si në Kanada apo do të thotë – gjykatat kanadeze nuk kanë asnjë autoritet mbi ne”, thotë ai.

Zoti Feinberg, i cili mbikqyri pagesat e kompensimit për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, thotë se suksesi në këto raste varet nga gatishmëria e palës fajtore për të pranuar detyrimet e saj ndaj viktimave.

“Ekziston gjithashtu një pyetje themelore nëse Irani, si pjesë të pranimit të fajësisë, do ta pranojë përgjegjësinë e tij që të paktën të krijojë një fond të veçantë kompensimi, siç bëri Boeing, dhe qeveria federale këtu në Shtetet e Bashkuara, pas 11 Shtatorit”, thotë ai.

Dëmet kompensuese luajnë një rol të rëndësishëm në pranimin e humbjes, dhimbjes dhe vuajtjes, por nuk ka asnjë mënyrë për të kompensuar tragjedinë, thotë Feinberg:

“Nuk ka krahasim. Ideja e parasë si zëvendësim i humbjes të një të dashuri nuk ka vend. Familjarët kanë marrë para, por ma kanë përsëritur vazhdimisht: ‘zoti Feinberg, mbaji paratë. Sillma burrin tim prapë, kthema gruan time. Më sill përsëri djalin ose vajzën time.’ Kjo është pjesa emocionale e tragjedisë”, thotë ai.

Ditët e mohimit dhe pranimi i fajësisë kanë ngjallur protesta në qytete në të gjithë Iranin. Një reflektim i sfidës me të cilën përballen autoritetet iraniane në adresimin e pikëllimit të familjeve në një kohë kur shumë fajësojnë qeverinë.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb