Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Janë 690 persona që janë mbajtur në paraburgim, burg ose arrest shtëpie padrejtësisht, të cilët përfitojnë kompensimin financiar në vlerën 830 milionë lekë. Ministria e Financave ka kryer pagesat për përfituesit nëpërmjet thesarit për kompensimin e plotë për të burgosurit pa të drejtë, dhe vlera financiare nga viti 2008 deri në vitin 2015 arrin në 773 milionë lekë.

Ndërsa për vitin 2016, janë vënë në dispozicion të kompensimit të burgimit të padrejtë 100 milionë lekë. Ministria e Financave bën të ditur, se ligji parashikon që duhet të kompensohen për burgimin e padrejtë, ose periudhën e arrestit në shtëpi, të vuajtur padrejtësisht, personat për të cilët prokuroria ka pushuar hetimet, personat për të cilët gjykata ka dhënë pafajësinë dhe ata për të cilët është vendosur pushimi i çështjes.

Përfituesit
Përfitojnë kompensim personat, që kanë vuajtur një dënim për një periudhë më të gjatë sesa ajo e parashikuar në vendimin gjyqësor, apo sesa afatet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale, në lidhje me afatet e paraburgimit. E drejta për kompensim iu njihet edhe personave, për të cilët vendimi i dënimit, mbi bazën e të cilit iu është hequr liria, është prishur nga një gjykatë e një shkalle më të lartë, ose nëse vërtetohet që vendimi për heqjen e lirisë është marrë si rrjedhojë e një procedure të gabuar. Ligji ka parashikuar shprehimisht që, detyrimi për kompensimin e burgimit të padrejtë përballohet nga Ministria e Financave, e cila duhet të thirret si palë në procesin gjyqësor, me anë të të cilit përcaktohet masa e kompensimit.

Kriteret
Ligji përmban gjithashtu edhe kriteret që duhet të vlerësohen nga gjykata, me qëllim caktimin e masës së kompensimit. Këto kritere janë të disa natyrave. Ato lidhen me situatën personale dhe familjare të personit si dhe me ekzistencën ose jo të marrëdhënieve të punës, para arrestimit të personit të dënuar padrejtësisht.

Masa e përfitimit
Janë parashikuar gjithsesi disa tarifa maksimale, që nuk mund të tejkalohen nga gjykata në caktimin e masës së kompensimit. Konkretisht, për një ditë heqje lirie, në formën e paraburgimit, masa maksimale e kompensimit është 3.000 lekë. Për një ditë heqje lirie, në formën e burgimit, masa maksimale e kompensimit është 2.000 lekë. Ndërsa, për arrestin në shtëpi, masa maksimale e kompensimit është 1.000 lekë/ditë. Prej momentit të hyrjes në fuqi të ligjit nr. 49/2012, dt. 03.05.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshje-ve administrative”, gjykimi i çështjeve me objekt “Kompensimin e burgimit të padrejtë”, është në kompetencë të Gjykatave Administrative.

Përfaqësimi i Ministrisë së Financave në proceset gjyqësore bëhet nga degët e thesarit në rrethe nën drejtimin e Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Financave. Të gjitha kërkesat për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, që mund të vijnë ose nga kreditori, ose nëpërmjet zyrave përmbarimore, i kalohen Drejtorisë Juridike. Vendimet që kanë marrë formë të prerë dhe nuk mund të ankimohen, i kalohen Drejtorisë së Financës për çeljen e fondit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb