Prej gati dy vjetësh, mbrojtja e pyjeve dhe e mjedisit si dhe ndëshkimi i kundërvajtësve ka kaluar në përgjegjësi të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Ndryshimet ligjore që ia kalonin kompetencat IKMT-së dhe policisë u prezantuan fillimisht në maj 2020, nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lleshaj premtoi ndërhyrje të koordinuar që do të ndalonte abuzimet në mjedis, por 17 muaj më vonë, drejtuesit lokalë të institucioneve të mjedisit thonë se nuk kanë kompetenca penalizuese dhe në mungesë të akteve nënligjore, shkeljet po kalojnë pa u ndëshkuar.

“Ne si drejtori rajonale e IKMT-së akoma vazhdojmë të jemi në fazën e ristrukturimit,” tha për BIRN Tasim Nerguti, drejtor rajonal i IKMT-së në Kukës.

Sipas tij, IKMT-të lokale kanë marrë kompetenca në letër për të ndëshkuar krimet mjedisore, por nuk kanë as buxhet dhe as mundësi për ta bërë këtë.
“Deri tani marrim vetëm rrogat, edhe ato kalojnë në Tiranë,” shtoi Nerguti.

Ngjashëm, edhe institucionet e tjera në mbrojtje të mjedisit si Drejtoria e Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave apo Administrata e Zonave të Mbrojtura u ankuan për mungesë stafi dhe kompetencash.

Amullia me ristrukturimet dhe dobësia e institucioneve solli zero ndëshkime për prerje të paligjshme të pyjeve, ndonëse qarku i Kukësit është rajoni me konsumin më të lartë të drurit për ngrohje në vend, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave.

Oltiona Hila, drejtuese e sektorit të mjedisit në IKMT-në e Kukësit thotë se ata kishin konstatuar dhe referuar vetëm 6 raste të prerjes së pyjeve gjatë këtij viti, por vetëm një prej rasteve kishte autor. Sipas Ilmi Duraku, kancelar i Prokurorisë në Kukës, të gjitha çështjet ishin pushuar për shkak të mungesës së autorëve.

Përplasje kompetencash
Shqipëria miratoi një moratorium për të ndaluar prerjen e pyjeve në vitin 2016 dhe në vitin 2020 një ligj të ri “për Pyjet”. Të dy ato parashikojnë masa të rënda ndëshkuese, ndërsa prerjet në pyll parashikohen edhe si vepër penale.

Sipas të dhënave nga ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi të pyjeve me qendër në SHBA, që nga miratimi i moratoriumit në vitin 2016, në Shqipëri janë shkatërruar më shumë se 6858 hektarë pyje, pjesa më e madhe e tyre për shkak të shpyllëzimit.

Të dhënat ‘Global Forest Watch’ tregojnë se Kukësi gjithashtu ka humbur sipërfaqe të pyllëzuara.

Sipas kreut të IKMT-së në Kukës, Tasim Nerguti prerja e pyjeve është ndër krimet kryesore mjedisore, së bashku me dëmtimet që shkaktohen nga sistemi minerar në qarkun e Kukësit.

Megjithatë, ai thotë se institucioni vuan nga përplasja e kompetencave dhe mungesa e akteve nënligjore për ta mbrojtur siç duhet mjedisin.

“Ka mungesë aktesh nënligjore për inspektoratin e pyjeve. Ka përplasje kompetencash mes IKMT-së dhe inspektorateve të pyjeve në bashki, pra ka ligje, por mungojnë aktet nënligjore,” tha Nerguti.

Ai tha se përplasje kishte edhe mes inspektorateve në varësi të ministrive të ndryshme.

“Në fushën e mjedisit ka tre inspektorate, pra tre kontrolle për të njëjtin qëllim. Të gjitha ministritë kërkojnë të kenë inspektoratet e veta,”u ankua ai.

Edhe drejtori i Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë e Kukësit, Sali Hallaçi tha se ata kryejnë vetëm kontrolle, pa pasur kompetenca ndëshkuese.

“Ne si drejtori pyjesh e kullotash në bashki vetëm i administrojmë pyjet e kullotat. Bëjmë kontrolle, por nuk kemi të drejtë të vendosim penalitete. Kjo është e drejtë e IKMT-së. Ne e informojmë IKMT-në për shkeljet që konstatojmë,” tha Hallaçi për BIRN.

I pyetur për numrin e shkeljeve të konstatuara së fundmi, Hallaçi tha se nuk mund të jepte një të tillë.

Zjarret dhe gjuetia e paligjshme

Keneta E Kashtes 533x400
Keneta E Kashtes 533×400

Ndërkohë, një tjetër drejtues lokal ngriti probleme të numrit të punonjësve dhe mungesës së buxhetit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Kukës, Lefter Gjana, thotë se me numrin e “Rangesa-ve” që ka në dispozicion, nuk mund të mbulojë 34,750 hektarë zonë të mbrojtur që ka zyra e tij nën kontroll.

Gjana thotë se veç prerjeve në pyje, shqetësuese për të janë zjarret dhe gjuetia e paligjshme.

“Gjatë verës kemi pasë tre raste zjarri në parkun natyror Korab-Koritnik dhe 6 raste zjarri në parkun e Valbonës,” tha Gjana. Ai shtoi se 18.2 ha zonë e mbrojtur u dëmtua dhe 1 hektar në Dragobi të Tropojës u dogj plotësisht.

Gjana vlerëson se dëmi ishte i vogël dhe zjarret u shuan në kohë, por shton se kishte mungesë koordinimi mes institucioneve dhe mungesë të vullnetarizmit, që do të ndihmonte në këto raste.

Megjithatë, situata në zonat e mbrojtura vlerësohet në përmirësim, ndërsa ka shtim të faunës së egër, përfshi këtu edhe specie e rralla siç është macja e egër.

Megjithatë, drejtuesi i AdZM-së Kukës thotë se gjuetia e paligjshme në zonë mbetet e pranishme dhe në mjaft raste, gjuetarët përdorin imitues dhe ndriçues.

Sipas Gjanës, dëshmi e gjuetisë dhe e ndërhyrjeve të paligjshme dhe të pandëshkuara janë edhe dëmtimi i kamerave që monitorojnë faunën e egër.

“Kemi pasë dëmtime të kamerave në zonën e Zapodit në Koritnik, por edhe në zonën e Çajës,” përfundoi ai./Reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb