TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për letrën që kreu i Komisionit të Sigurisë kombëtare, deputeti Spartak Braho, u ka dërguar krerëve të shtetit dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, në të cilën hedh hije dyshime se deputeti i Shkodrës, Tom Doshi dhe ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, po përpiqen për destabilizimin e vendit duke organizuar një komplot sipas tij ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Pasditen e sotme, kreu i Komisionit të Sigurisë kombëtare është parë në prokurorinë e Tiranës, ku dëshmoi për atë që ka shkruar në letër.  Në përfundim të dëshmisë së tij, Braho nuk ka pranuar të prononcohet për mediat.

Ndër të tjera, në letër Braho flet për një takim të Tom Doshit me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, administrator i DIA, i dyshuari kryesor për skandalin e vjedhjes në CEZ. Sipas Brahos, gruas i është bërë presion nga Doshi, me qëllim që i shoqi i saj të dëshmojë kundra kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Të dy, si Doshi ashtu dhe Vojsava Ismailaj kanë pranuar të jenë takuar si dy persona që njihen prej kohësh. Ismailaj tha se kërcënimi po i bëhet nga shtetit, që bashkëshorti i saj të tërhiqet nga gjyqi në Arbitrazhin e Vjenës dhe jo nga Tom Doshi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb