FIER – Rreth 1 miliardë e 260 milionë lekë është dëmi i llogaritur nga grupet e verifikimit në zonat e përmbytura në komunën Frakull të Fierit. Shifra është bërë publike nga kreu i kësaj komune, Viktor Cervanaku. Sipas tij, në fushat e komunës që ai drejton por edhe në banesat e fshatit Kashisht dhe Cerven, të goditur nga vërshimi i ujërave para disa ditësh, nuk ka më mbetje uji, falë punës për hapjen e kanaleve kullues në këtë zonë.

Këtë fakt e pohon dhe kryetari i fshatit Kashisht, Ramadan Kapaj. Ai pohoi se në zonën bujqësore ka nisur puna e fermereve për eleminimin e dëmeve, por edhe punët e përditshme të stinës.

Frakulla është e para që deklaroi shkallën e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në banesa dhe në kulturat bujqësore. Rreth 70 ha me prodhime bujqësore, sera me luleshtrydhe etj u përmbytën dhe e dëmtuan në këtë zonë. Për situatën e ndihmave, mëngjesin e sotëm është mbledhur Shtabi i Emergjencave, që ka organizuar punën për shpërndarjen e tyre në Frakull, Levan dhe Dërmenas.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb