Jeta dhe vepra e saj, bëmat, vuajtjet, qëndrimi, bukuria, pamposhtmëria janë një përvojë e vyer, një pasuri e paçmuar morale për të gjithë, rrezatim virtytesh, kulture e rëndësishme, një apel i përhershëm për të qenë të denjë për jetën, të dobishëm për vendin…

Sot, me 10 shkurt, shënohet ditëlindja e 101 e Musine Kokalarit, shkrimtarja e parë grua shqiptare, disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeltare e një partie opozitare, e burgosura politike, që pas 20 vitesh burg, do të mbyllte sytë në internim, ndërkaq 10 vjet më vonë, më 1993, kur diktatura komuniste kishte rënë, do të dekorohej nga Presidendi me medaljen “Martir i Demokracisë” dhe së fundmi “Nderi i Kombit.” Për ta kujtuar, sjellim këtë shkrim të përgatitur nga shkrimtari Visar Zhiti, 6 vjet më parë.

Gjirokastritja e mrekullueshme…

Musine Kokalari, pasi kryen shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, më 1937, shkon për studime në Universitetin e Romës, në Itali, del me rezultatet më të larta. Qysh studente, boton librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë”, me rrëfime magjepsëse. Njihet dhe do të ketë dhe vlerësimet e një nga shkrimtarëve më të mëdhenj italianë, Alberto Moravia. Së bashku dhe me disa shokë të tjerë, më 1943, formon Partinë Socialdemokrate dhe nxjerr gazetën “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë me tregime “Si u tund bota” 348 faqe, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti, pushkatohen pa gjyq vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Fitimitarët e ardhshëm po futeshin në kryeqytet me terror të llahtarshëm. Katër ditë më vonë, e arrestuan dhe shkrimtaren e parë shqiptare, e mbajtën 17 ditë në burg. Ajo boton libri e tretë pas një viti, “Rreth vatrës”, duke u bërë shkrimtare e vërtetë me autoritet, por më 23 janar të vitit 1946, e arrestojnë për së dyti dhe gjyqi terrorist i fitimtarëve e dënoi me 20 vjet burg.

Nga thëniet e saj në gjyq:

“Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ”Zëri i Lirisë”, në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut… Kriteri për të luftuar, ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua, ju doni të dënoni Rilindjen”.

Kur dikush i vënë, thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, tha se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat”.

Në vitin 1961, lirohet dhe e internojnë në Rrëshen, bën punë të rënda fizike, llaç dhe mur. Vetmia si dënim dhe libra, libra, këta ishin miqtë e saj. Megjithatë, ajo do të jetë mecenatja shpirtërore e shkrimtarit të ardhshëm Bilal Xhaferri, që do të arratisej në SHBA për t’i shpëtuar përndjekjes, nga që ishte me baba të pushkatuar. Në vitin 1981, Musineja sëmuret rëndë, pashërueshëm, dhe vdes dy vjet më vonë. Makina e zhavorrit e hodhi në gropën ku mbuluan atë dhe veprën që nuk e lanë ta shkruante.

Rrëshen, shtëpia-kasolle ku Musine Kokalari kaloi vitet e fundit të jetës në internim

Në fundin e jetës:

Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli… nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?… Unë s’jam fajtore…”.

Një përfundim i trishtë: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike.

Porosi e saj: Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Porosia e Musine Kokalarit është shumë më e madhe, e dhimbshme, me rëndësi dhe e përhershme. Është thirrje kujtesës kolektive, veprimit, jetës, atdheut. Natyrisht sot ajo nderohet, ka marrë aureolën e martires, vepra e saj është botuar e plotë, falë dhe zellit të përkujdesësit të studiuesit Novruz Shehu. Lexuesit e saj janë të shumtë, admiruesit po ashtu, edhe përkujtuesit, po kështu dhe Ambasadori Amerikan në Tiranë, madje jepet dhe një çmim për gratë veprimtare me emrin e saj, kurse një studiues italian, Mauro Geraci, po përgatit botimin e saj në Itali, kujtimet e Musinesë në Romë. Kur ajo ishte studente atje, bënte takime kulturore e patriotike, por sallat ia siguronte duke pagur vetë një tjetër shqiptar, Dane Zdrava, ai që do të sillte kinemanë e parë në qytetin e tij në Berat. Kishte kryer akademinë detare në Napoli, patriot, por dhe ky do të vdiste në burgun komunist. I kujtojmë këto si një përvojë e mrekullueshme, që diktatura i rrënoi, por duhen ringjallur.

Musine Kokalari, pse i ka marrë titujt më të lartë që jep demokracia, etj., megjithatë ditëlindja e saj u harrua dhe pse ishte 95 vjetori i lindjes. Porosia është që ne duhet të jemi të lidhur si një vazhdim i domosdoshëm me rilindasit tanë shpirtërore, t’i kemi në kalendarin e veprimeve tona, përherë. Ky 100 vjetor i pavarsisë së vendit tonë duhet të na i rrënjosë kéto. Pa një kalendar të tillë qytearia jonë do të jetë e mangët, po kështu edhe drita e së ardhmes. Kremtime të tilla duhet të kemi patjetër dhe nuk duhet të jenë thjesht ceremoniale të harrueshëm, as rutinë zyrtare, por pjesë e gjallë e kujtesës kolektive, e përditshmërisë tonë. Të jenë të natyrshëm dhe t’i ngjajnë, si të thuash, ndezjes së një qiriri metaforik, për të cilin një grua tjetër e madhe shqiptare, Nënë Tereza, thoshte: Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën. Që harresa të mos bëhet errësirë./kujto.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb