TIRANË- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bën apel klasës politike dhe grupeve të interesit të gjejnë rrugën e përbashkët dhe konsensusin për reformën në drejtësi duke patur parasysh interesin kombëtar dhe shoqëror.

Në një deklaratë për mediat, KMSH thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit të punimeve për reformën në drejtësi.

“Duke parë rëndësinë e kësaj reforme, KMSH shpreson që Kuvendi i Shqipërisë do të reagojë maturisht dhe do bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme, e cila do të shërbejë në të mirë të qytetarëve dhe politikave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje të gjithë klasës politike dhe grupeve të interesit të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të bien në konsensus për reformën në drejtësi, duke marrë parasysh interesin kombëtar dhe mbarëshoqëror. Ne jemi përkrah çdo nisme e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe prosperitet në vendin tonë”, deklaron KMSH.

Më herët edhe komuniteti i krishterë përcolli të njëjtin mesazh për klasën politike shqiptare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb