Prej këtu, kam një mesazh për të gjithë botën: Amerika nuk do të jetë kurrë një vend socialist. Në shekullin e kaluar, socializmi dhe komunizmi vranë 100 milionë njerëz!”. Ishte kjo pjesa hyrëse e fjalës së fortë të Presidentit amerikan, Donald Trump, në Asamblenë e 74-t të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qëndrimi i njohur amerikan antikomunist nuk është befasues për demokracinë më të madhe të globit, por duket një kujtesë e nevojshme, nisur nga dinamikat gjeopolitike. Vëmendja për të mos harruar çfarë kanë vuajtur popuj të tërë nga diktatura komuniste, mbetet në rendin e ditës edhe për Bashkimin Europian. Pak ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi me shumicë domethënëse prej 535 votash pro, një rezolutë mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, duke u bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së, që të bëjnë një vlerësim të qartë e parimor të krimeve dhe akteve të agresionit, të kryera nga regjimet totalitare komuniste dhe regjimi nazist. Rezoluta e vendos në të njëjtin nivel komunizmin dhe nazizmin, si fatkeqësi për popujt që kanë vuajtur prej tyre. Për këtë arsye, Parlamenti Europian u kërkon vendeve anëtare që të dënojnë të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare, siç është komunizmi dhe nazizmi në BE. Një hap konkret është thirrja për të gjitha vendet anëtare, që ta përkujtojnë 23 gushtin (këtë vit 80-vjetori i firmosjes së marrëveshjes së mos sulmit mes Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, që çoi në ndarjen e Europës në sfera influence mes të dyjave, e më pas në Luftën e Dytë Botërore), si Ditën Europiane të Kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në BE. Thirrja është për rritjen e ndërgjegjësimit të brezit të ri për këto çështje, përfshi historinë e analizën e pasojave të regjimeve totalitare në kurrikulat e tekstet arsimore të të gjitha shkollave në BE.

Rezoluta që u është dërguar Këshillit Europian, Komisionit Europian, parlamenteve të vendeve anëtare, (edhe Dumës ruse) si dhe parlamenteve të vendeve që kanë vuajtur komunizmin e nazizmin, përfshi Shqipërinë, bën thirrje për një kulturë të përbashkët kujtese, që hedh poshtë krimet e regjimeve komuniste, fashiste, Staliniste e regjimeve të tjera totalitare e autoritare të së kaluarës, si një mënyrë për të nxitur rezistencën ndaj kërcënimeve moderne për demokracinë.

Shqipëria, si një nga vendet që i ka përjetuar më egërsisht pasojat e diktaturës komuniste, ka më shumë nevojë për atë iniciativë konkrete të Parlamentit Europian. Për 46 vjet, në vendin e izoluar u vranë mbi 6 mijë qytetarë, mbi 7 mijë të tjerë vdiqën në internime. 34 mijë të burgosur politikë e mbi 59 mijë të internuar dhe shifrat nuk janë shteruese. Në tri dekada pluralizëm, pa arritur ende të hapë negociatat e anëtarësimit, vendi anëtar i NATO-s, fatkeqësisht, ka ende personazhe aktivë të diktaturës në postet më të larta të shtetit, përfshi individë të ishSigurimit famëkeq të Shtetit. Harresa për atë periudhë po kultivohet në mënyrë tinëzare, përmes rehabilitimit të figurave e episodeve të regjimit, që masakroi popullin e vet, e sidomos shtresën më të arsimuar, intelektualët. Libra kujtimesh selektive e fragmente po aq selektive botohen si me porosi, pikërisht kur vendi duket pa rrugëdalje për shkak të inkriminimit, makutërisë e paaftësisë së një qeverie, që njëlloj si ajo e para viteve ‘90, të zezën ua bënte qytetarëve të vet. Sot, shqiptarëve u pamundësohet e tashmja e u vritet e ardhmja. Ata po ua mbathin masivisht nga sytë këmbët, sa më larg, edhe me pasigurinë se duhet të nisin gjithçka nga e para, në vend të huaj.

Nën këtë qeveri të partisë së riemërtuar komuniste, portretet e diktatorit e simbolet e tij shfaqen si normalitet, si “e drejtë” e njeriut në demokraci. Tinëzisht, nderimi i Luftës Nacionalçlirimtare, lidhet me figurat që ishin përgjegjëse për linçimin 46-vjeçar të shqiptarëve. Guximi i pacipë shkon edhe më tej, kur figura të regjimit nderohen pikërisht për shërbimet e kohës së diktaturës. E pamë së fundmi në Tepelenë, një personazh i njohur si personi përgjegjës për internimin e burgosjen ndaj “armiqve” të partisë në vitet ’70-‘80, Manxhar Binaj, tri dekada pas rrëzimit të diktaturës, shpallet “Qytetar nderi” i Tepelenës.

Është e pafalshme kjo që ndodh në vend. Kjo ndodh sepse periudha e diktaturës paketohet prej 6 vitesh si atraksion turistik, me muzeume e bunkerë, të mënyrave që përdorte regjimi kundër popullit të vet, duke u dhënë edhe tone ekzotike. Një sjellje që fyen e poshtëron viktimat e diktaturës e familjarët e tyre, tri dekada pas rrëzimit të regjimit më të egër komunist në Europë. Nisur nga qëndrimi i Presidentit Trump e rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria duhet të risjellë në vëmendje të kaluarën e hapur të saj me diktaturën. Historia e emancipimit të një kombi është historia e hapjes dhe jo e mbylljes apo lënies në harresë të së vërtetës.

Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë, lindi demokracia, dhe jo qilarët e errët, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca), dëshira për të vërtetën, ajo që i vuri krisjen në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë situatë të tmerrshme sulmi të vazhdueshëm për të deformuar me çdo kusht moralin e një shoqërie të tërë, nga ata që rrënjët i kanë në historinë e zezë skëterrë të këtij vendi e që kurajën për të shpalosur injorancën dhe poshtërsinë e tyre e gjejnë falë zemërgjerësisë, qytetarisë e mençurisë së pjesës më të madhe të shqiptarëve që kanë zgjedhur të falin, por të mos harrojnë, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë, i cili ka nxjerrë mësime nga e shkuara dhe shikon përpara drejt së ardhmes. Jo, për fat të keq dhe çuditërisht janë pikërisht shkaktaret kryesorë të shkatërrimit dhe vuajtjeve më të mëdha të këtij vendi apo pasardhësit e tyre, që tentojnë me çdo mënyrë të mbrojnë dhe mitizojnë një sistem diktatorial gjakatar.

Në këto kushte, në Shqipëri, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që do marrë përgjegjësitë e vendit e të shoqërisë i bie barra historike që t’i ruajnë, t’i zhvillojnë e t’i mbrojnë bazuar mbi parimet dhe vlerat, ato parime e vlera që sollën triumfin e botës së qytetëruar, botës së lirë ndaj diktaturave të çdo lloji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb