TIRANE- Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, me rastin e 90-të vjetorin e lindjes së kompozitorit Çesk Zadeja, do organizojë koncertin vokal-instrumental me kompozime të themeluesit të muzikës shqiptare. Me pjesëmarrjen e korit, orkestrës simfonike të TKOB-së, dirigjent Desar Sulejmani. Koncerti do të zhvillohet në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.

Simfonia e parë e vitit 1956, muzika e filmit “Skënderbeu” dhe vepra e fundit për orkestër që Çesk Zadeja e kompozoi më 1996, një vit para se të ndërronte jetë, do luhen në këtë koncert.

90-vjetori i lindjes së Zadesë, festohet edhe si pjesë e kalendarit kushtuar “Historisë së Operës”.

Zadeja është një nga themeluesit dhe drejtori artistik i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, më pas drejtor artistik dy herë i Teatrit të Operas dhe Baletit, krijues i Degës së Kompozicionit dhe Degës së Muzikës në Akademinë e Arteve.

Zadeja njihet si kompozitori i simfonisë së parë shqiptare (1956), siç shprehen muzikologët e kohës është vepra më madhore jo vetëm në krijimtarinë e kompozitorit, por edhe në muzikën shqiptare.

Krijimtaria e tij ka filluar herët që në vitet 40 me këngët “Doli nëna në çardak”, këngë heroike. Autor i kantatës “Atdheu”, krijues i muzikës së filmit të parë shqiptar “Tana” (1958) dhe filmave të tjerë si “Skënderbeu”(1953), “Krevati i Perandori” (1973), “Në kufi të dy legjendave”(1981), “Flaka e maleve” (1982) etj.

Në krijimtarinë e tij përfshihen dhe romanca për bas dhe orkestër “Hej ju male”, koncert për orkestër piano dhe violinë, suita për orkestër, suita dhe poema vokale, rapsodi për orkestër dhe violinë etj. Ka kompozuar muzikën e baleteve të vëna në skenën e TKOB si: “Delina”, (1964), “Shqiponjat sypatrembur”, (1972), “Vajzat e qytetit të gurtë”, (1990) dhe “Para stuhisë” (1982), e cila pati një premierë të dytë “Lumi i vdekur” 2007.

Zadeja ka hedhur bazat e muzikës së kultivuar shqiptare dhe është një nga themeluesit e institucioneve të Artit si Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, në vitin 1957. Në vitin ‘66 dhe më pas në vitin ’73 ka mbajtur vendin e drejtorit artistik të TOB si dhe kryetar i degës së muzikës dhe pedagog në Akademinë e Arteve. Shumë kompozitorë që janë bartës të veprimtarive muzikore sot në Shqipëri, janë diplomuar nën drejtimin e kompozitorit Zadeja.

Çesk Zadeja u lind më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër.

Koncerti do të zhvillohet në Universitetin e Arteve, në datë 6 qershor ora 19:00./ATA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: