Birra Korça ka dalë kundër vendimit të Bashkisë për ta bërë koncertin e Goran Bregoviç në natën finale të Festës së Birrës me bileta.

Sipas Birrës Korça, koncerti me bileta është tërësisht i padrejtë, abuziv dhe me qëllime të ulëta përfitimi.

Ajo i bën thirrje Bashkisë të heqë dorë nga ideja absurde dhe të lejojë qytetarët të festojnë falas natën finale në një atmosferë festive.

Bashkia e Korçës si organizatore e festës ka vendosur bileta për qytetarët në mënyrë që të ndjekun më 22 gusht këngëtarin serb Goran Bregoviç.

DEKLARATA NGA BIRRA KORÇA

Deklaratë e Birra Korça lidhur me vendimin e Bashkisë për të shitur bileta për aktivitetin e natës së fundit të Festës së Birrës

Birra Korça me shumë shqetësim u njoh me vendimin e organizatorëve Bashkia Korçë për të shitur bileta për pjesëmarresit në koncertin e këngëtarit Bregoviç në kuadër të aktiviteteve të Festës së Birrës. Në vlerësimin tonë ky vendim është tërësisht i padrejtë, abuziv dhe me qëllime të ulëta përfitimi në kurriz të pjesëmarrësve. Në asnjë mënyrë nuk do të dëshironim të shihnim që qytetarët të paguajnë në një aktivitet që u përket vetëm atyre dhe paguhet nga sponsora që janë prodhuesit e birrës dhe prodhues ushqimorë pjesëmarrës në aktivitet. Në asnjë mënyrë nuk do të donim të shihnim që aktiviteti përdoret për qëllime të përfitimit financiar nga organizatorët sepse ky aktivitet, unik në vend, është i qytetit të Korçës, qytetarëve shqiptarë eventeve të ndryshme të botës që mbushin sheshet. Ndaj i bëjmë thirrje Bashkisë të heqë dorë nga kjo ide absurde dhe të lejojë qytetarët të gëzojnë natën finale sikundër çdo natë tjetër, falas edhe në një atmosferë festive që vetëm ky aktivitet e krijon!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb