Rita Ora elektrizoi sheshin “Skënderbej” në koncertin që mbajti mbrëmjen e 6 shtatorit në kuadër të “Tirana European Youth Capital 2022”. Ylli me origjinë shqiptare ndezi skenën së bashku me trupën e baletit, duke performuar disa nga hitet e saj ndër vite.

Këngëtarja kishte veshur një ‘body’ të zi, ku vihej re detaji i shqiponjës dykrenare përreth kraharorit dhe shpatullave të saj, ndërsa balerinët kishin veshjet e tyre ngjyrë të kuqe, dy ngjyrat që simbolizojnë flamurin tonë shqiptar.

Përveç shumë njerëzve të thjeshtë, pjesë e koncertit të Ritës ishin edhe personazhe publikë, përfshirë këtu politikanë, ministra, ambasadorë. “Panorama Plus” ju sjell pamjet që nuk janë parë nga zona VIP, atje ku këto personalitete festuan duke kënduar e kërcyer teksa pjesë e festës së tyre ka qenë edhe alkooli. Paparaci ynë ka fotografuar ish-ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ishte bashkë me djalin e saj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Si politikane, por edhe si nënë, deputetja e Tiranës ka shijuar atmosferën në shesh. Natyrisht që nuk kanë munguar as fotot e shumta që ajo ka bërë me djalin e saj.

Atmosfera e ndezur e festës ka vijuar dhe me shumë kolegë të saj. Si për t’ju përshtatur festës, ministra e politikanë janë shfaqur të relaksuar, teksa kanë zgjedhur të kërcejnë dhe të pinë alkool nën ritmet e muzikës së këngëtares me origjinë shqiptare.

Në fotot e siguruara nga “Panorama”, vihet re edhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadori i Anglisë, deputeti i PS-së në Dibër, Lavdrim Krashu.

Me gotë alkooli në dorë, ata duken si fansat më të zjarrtë të Rita Orës. Nga fotot e publikuara, shfaqen me gota pijesh në dorë, teksa kanë përfshirë në këtë atmosferë edhe kreun e diplomacinë angleze në Tiranë.

Mes tyre nuk mungoi edhe bashkëshortja e kreut të Bashkisë, Erion Veliaj, Ajola Xoxa. Një personazh që gjithnjë shfaqet e rezervuar, këtë herë Ajola duket se e ka shijuar atë mbrëmje në Tiranë. Mes politikanëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të saj, zonja Veliaj ka qenë tek ajo pjesë e publikut që e ka shijuar pafund performancën jo vetëm të Rita Orës, por edhe të këngëtarëve të tjerë që ishin ftuar.

Natyrisht, ardhja e Rita Orës në Tiranë ishte një festë për të gjithë. Veshja e saj ishte një pjesë e krijuar enkas për të nga stilisti i njohur Valdrin Sahiti, i cili ka bërë veshje për Beyonce, Cardi B, Paris Hilton dhe Angelica Ross. Autorja e hitit “Lonely Together” tregoi lëvizjet e saj të kërcimit teksa kaloi nëpër skenë dhe performoi me një sërë kërcimtarësh, ndërsa pas saj u ndezën fishekzjarrë.

Rita e hapi performancën e saj me këngën e vitit 2019, “Ritual”, përpara se të këndonte një përzgjedhje të hiteve të saj ndër vite, duke përfshirë “Your Song” dhe “Hot Right Now”, dhe të përfundonte te “Lonely Together” dhe “Anywhere”. Koncerti u organizua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të festuar shpalljen e kryeqytetit si “Kryeqyteti i Rinisë së BE-së” për vitin 2022. Duke folur për koncertin – dhe më herët duke u vlerësuar me një çmim prestigjioz nga Presidenti shqiptar, Rita tha se nuk do ta harrojë kurrë shfaqjen në vendin e prindërve të saj.

Ardhjen në Shqipëri dhe performancën e saj, e sheh përtej thjesht argëtimit, e sheh si një mundësi për të përcjellë mesazhe për gratë.

“Të pasurit një koncert grash, vajzash, është shumë e rëndësishme për mua dhe patjetër jam krenare që kishim mundësi të bënim një gjë të tillë me prezencë të vajzave dhe grave. Për mua, mesazhi është përtej të pasurit një koncert. Është më i thellë se aq. Prezanton shoqërinë tonë, traditat tona”, u shpreh Rita në një konferencë për shtyp.

Gjatë udhëtimit të saj, Rita u nderua me urdhrin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Krijuesja e hitit “Body On Me” ka lidhje të veçantë me Tiranën, të cilën ajo e konsideron si shtëpi së bashku me Prishtinën dhe Londrën, dhe festimi i emërtimit të kryeqytetit si Kryeqyteti Rinor i BE-së është shumë afër zemrës së saj.

Pas koncertit, ajo ka vijuar me angazhimet e saj të shumta dhe i është dashur menjëherë të largohet nga Shqipëri duke udhëtuar drejt Brazilit. Megjithatë, artistja me famë botërore ka dhënë edhe një mesazh të fundit para largimit.

“Më duhet ta them, ky ishte show më i mirë ndonjëherë. Faleminderit të gjithëve që erdhën për të më parë. Ishin 30 mijë-40 mijë veta mesa më thanë”, tha ajo.

Martesa sekrete e Rita Orës me regjisorin Taika Waititi ka qenë kryefjalë e mediave të huaja. Thuhet se çifti në fillim të këtij muaji u martuan në një ceremoni private dhe po përgatiten për një dasmë të madhe. Rita mbajti një konferencë për shtyp para koncertit që do mbajë në Tiranë dhe nuk ka munguar një pyetje me spec nga gazetarët. Ajo u shfaq madje gjatë një vizite duke gatuar byrek. Por, a ishte byreku në menynë e dasmës së saj? “Pyetje e bukur, por nuk mund të ta them këtë gjë tani. Fatkeqësisht… por jam shumë e lumtur”, tha Rita.

Kjo është hera e parë që Rita u prononcua për dasmën e saj. Rita dhe Taika filluan të takoheshin në mars 2021, përpara se të zyrtarizonin romancën e tyre atë gusht. Çifti u fejua dy muaj më parë dhe tani burimet pohojnë se ata po planifikojnë një dasmë të madhe për të festuar martesën e tyre sekrete me miqtë dhe familjen. /Panorama Plus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: