NGA: ELDA MENGA
Ligji i ri ‘Antimafia’ i hartuar në kuadër të reformës në drejtësi do të sekuestrojë edhe koncesionet ndaj personave që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë. ‘News 24’ disponon draftin e hartuar nga grupi e ekspertëve i cili parashikon se krahas sekuestrimit tradicional, pasuri e paluajtshme, vlerë monetare, pjesë e saj do të bëhen edhe veprimtaritë ekonomike dhe koncesionet e përfituara duke e zgjeruar edhe rrezen e personave që do të vendosen nën hetimin.

Për hetimin e këtyre personave, ligji i ri ka përcaktuar se Prokuroria shqiptare mund të marrë ekspertizë nga vendet në të cilat shtetit shqiptar ka lidhur marrëveshje, pa pasur nevojë për të marrë ratifikim nga Parlamenti.

“Pika 1 e nenit 6 ndryshon si më poshtë: “Prokurori ndërmerr, edhe nëpërmjet policisë gjyqësore, hetimet e nevojshme ndaj personave të parashikuar në nenin 3, pikat 1 dhe 2, shkronjat a) dhe b) të këtij ligji, për mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, nivelin ekonomik dhe burimet e të ardhurave të tyre, përfshirë pyetjen e personave që kanë dijeni mbi faktet objekt i këtij ligji dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme. Nëse lind nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare, zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të pranuara nga shteti shqiptar, si dhe dispozitat përkatëse procedurale.”- thuhet në pikën 1 të neneti gjashtë e cila do të riformulohet.

Por kush do të jetë pjesë e këtyre hetimeve dhe sekuestrimeve?
Drafti i hartuar nga ekspertët ndërkombëtar zvogëluar rrezen e personave që hetohen direkt duke hequr, vjehrrin, vjehrrën, kunatin etj, por duke zgjeruar rrezen e të gjithë individëve që mund të kenë kontakt me personin që është nën hetim.

Neni tre i ligjit të ri, në pikën b të pikës dy përcakton se: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të përmendur në pikën 1 të këtij neni, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë indirekte nga:
a) personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi) të subjekteve të pikës 1 të këtij neni për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta;
b) personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni.
c) Të dhënat e mjaftueshme që pasuritë ose veprimtaritë e personit fizik ose juridik zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë indirekte, nga personat e përmendur në pikën 1 të këtij neni, nxirren:
i- nga marrëdhënia ndërmjet personit fizik dhe juridik me personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni;
ii- nga fakti që personi fizik ose juridik ka pasuri ose të ardhura që nuk përputhen dukshëm me nivelin e të ardhurave, fitimeve ose veprimtarive të ligjshme të deklaruara dhe as nuk përligjen prej tyre;
iii- nga rrethana të tjera të dobishme”.
Miratimi i këtij ligji pritet që të bëhet brenda muajve të pare të vitit 2017 pas shqyrtimit në Parlamenti.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb