Nga MARIGLEN MERTIRI*

Koncesioni i pazakontë 35-vjeçar i Bashkisë së Tiranës për parkimet publike me pagesë ka ngjallur habinë e qytetarëve. Ky propozim varfërues për banorët rezidentë, por edhe për vizitorët, shkaktoi edhe përçarje mes këshilltarëve në Këshillin Bashkiak, që u mblodh mbrëmjen e së enjtes.

Paaftësia menaxhuese e bashkisë për 24 mijë vendet ekzistuese të parkimit bën që të shohim çdo ditë ngado, makina të vjetra, makina që shiten dhe objekte bllokuese, si kartona a hekura.

Qytetarëve të Tiranës po u merret ajo që kanë, parkimi ekzistues në rrugë dhe do t’i detyrojnë të paguajnë një konçesionar, pa investuar asgjë. Praktikisht, ky koncesion mund të cilësohet edhe një minierë e artë, ku, nëse mesatarja për orë do të ishte 100 lekë për makinë, për 24 mijë vendparkime, të ardhurat për koncesionarin do të shkonin në 2.4 milionë lekë në orë. Një përllogaritje të tillë në vija të trasha e bën dje edhe këshilltarët bashkiakë.

Ndarja në 21 zona të parkimit më pagesë sjell thuajse asnjë mundësi për parkim falas. Zona që do të administrohet nga privati shtrihet nga Kombinati e deri në Kinostudio, përfshirë edhe periferinë. Por sa do t’i kushtojë një qytetari, mbajtja e makinës me tarifat e reja të parkimit?

Ata që punojnë në administratë dhe qendrat e biznesit, nëse do të duhet të parkojnë në bulevard, e kanë pagesën 150 lekë për dy orë. Minimalisht, 2 orë në ditë parkim për çdo ditë të javës bëjnë 3300 lekë në muaj ose rreth 40 mijë lekë në vit. Drejtuesit e makinave kanë dhënë mendime të ndryshme për kamerën e “News 24”, siç mund t’i shihni edhe në video.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb