TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sërish qeverinë për koncesionin e hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë, që sipas saj i është dhënë djalit të deputetes Valentina Leskaj, që mban postin e nënkryetares së Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani deklaroi se me këtë koncesion mandati i Leskaj bëhet automatikisht i pavlefshëm.

“Bashkë me naftën e me mallrat e tjera, dhe me pasagjerët për 25 vite me radhë, hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë do të marrë me vete edhe mandatin e deputetes Valentina Leskaj, nënkryetare e Kuvendit. Ekskluziviteti që Edi Rama i dha djalit të nënkryetares së Kuvendit, nuk është vetëm një korrupsion i pastër e ndarje privilegjesh, por njëkohësisht është shkelje e rëndë e ligjit”, tha Ristani.

Pas akuzave të opozitës për koncesionin e hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë, ka ardhur edhe reagimi i Qeverisë. Në përgjigjen drejtuar opozitës pas deklaratës së deputetit Arben Ristani, nga Qeveria theksojnë se procedura konkurruese për koncesionin ka qenë e hapur, dhe se deputetja nuk Leskaj nuk ka lidhje në vendimmarrjen.

Por sipas Ristanit ky fakt përbën shkelje flagrante të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

“Neni 24 i këtij ligji, parashikon shprehimisht se personat e lidhur me deputetin, fëmija madhor i një deputeti nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik. E zezë mbi të bardhë. Pika 1 e nenit 21 shprehimisht përcakton: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara nga ligji (ku përfshihet edhe deputeti), nuk mund të lidhë kontratë apo nënkontratë me asnjë institucion publik”. Ndërkohë pika 3 e nenit 24 parashikon se: “Ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, (deputetin) zbatohen edhe për personat e lidhur me të, ku sipas ligjit përfshihet edhe fëmija në moshë madhore (pika 1 e nenit 24)”. Po pavarësisht këtij ndalimi, Edi Rama ka standardin e tij të dyfishtë dhe kur vjen puna tek miqtë e tij, ligji pushon së ekzistuari. Ndaj ai lidhi kontratë me djalin e Valentina Leskajt”, deklaroi deputeti demokrat.

Ristani theksoi se “nga dita që hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë mori emrin hekurudha Leskaj, nënkryetarja e Kuvendit është në shkelje të ligjit, është në papajtueshmëri me ligjin, çdo ditë që mban mandatin, çdo ditë që paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë”, duke paralajmëruar që PD do të çojë në parlament kërkesën për mbarimin e mandatit të saj.

“Nga dita e dhënies së këtij koncesioni zonja Leskaj është në shkelje të Kushtetutës, ku neni 71 i saj parashikon rastin e papajtueshmërisë së mandatit. Partia Demokratike do të paraqesë sot në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetes Leskaj. Partia Demokratike nuk do të lejojë shkeljen e ligjit dhe do ta çojë deri në fund këtë çështje”, përfundoi Ristani.

QEVERIA REAGON NDAJ AKUZAVE: LESKAJ NUK KA LIDHJE NË VENDIM-MARRJEN
Pas akuzave të opozitës për koncesionin e hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë, ka ardhur edhe reagimi i Qeverisë. Në përgjigjen drejtuar opozitës pas deklaratës së deputetit Arben Ristani, nga Qeveria theksojnë se procedura konkurruese për koncesionin ka qenë e hapur.

Në përgjigjen e Qeverisë thuhet se “Deputeti Arben Ristani e bazon akuzën e tij në dy nene të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Por baza mbi të cilën vepron ky ligj, përfshin të gjithë zyrtarët të cilët janë pjesë e vendimmarrjes së procedurave publike.

Sa më sipër, sqarojmë se pretendimi për konfliktin e interesave për këtë procedurë nuk qëndron pasi deputetja Valentina Leskaj nuk ka asnjë lloj lidhje në vendimmarrjen e procesit së dhënies me koncesion të hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë”.

“Përsërisim se procedura konkurruese për koncesionin e rehabilitimit të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh; Fier-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor. Në të kanë pasur mundësi të marrin pjesë në garë të gjithë subjektet vendase apo të huaja, për më tepër se 50 ditë, kohë që kjo procedurë ka qenë e publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike të Agjencisë së Prokurimit Publik”, vijon më tej reagimi.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb