Pasi mori një bonus 6 pikësh për ofertën e pakërkuar, kompania “Gjikuria” u shpall fituese e koncesionit 13-vjeçar për rrugën Orikum-Dukat me ofertë sa 99.96 për qind e fondit limit.

Kompania “Gjikuria” u shpall fituese e koncesionit 13-vjeçar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Orikum-Dukat, një rrugë prej 16 kilometrash që do t’i kushtojë 50.5 milionë euro buxhetit të shtetit. Sipas dokumenteve të koncesionit, oferta fituese është 99.96 për qind e fondit të parashikuar për projektin.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi më 8 nëntor se përveç kompanisë “Gjikuria”, e cila është edhe autore e ofertës së pakërkuar, në tender kishte marrë pjesë edhe kompania “4 A-M” me ofertë 61.2 milionë euro. Kjo kompani është skualifikuar, pasi oferta financiare ishte më e lartë se vlera maksimale e përllogaritur për projektin.

Rruga Orikum-Dukat, e planifikuar të rindërtohet nga Porti i Jahteve në Orikum deri te Ura e Shën Elizës në Dukat është projekti i katërt i paketës “1 Miliard euro” të qeverisë shqiptare, pas rrugës së Arbrit, rrugës Thumanë-Kashar dhe asaj Milot-Balldren. Të katërta projektet koncesionare pritet të kenë një kosto të përgjithshme prej 712 milionë eurosh.

Më 20 qershor 2018, Këshilli i Ministrave i dha një bonus prej 6 pikësh kompanisë “Gjikuria” për paraqitjen e propozimit të pakërkuar për marrjen me koncesion të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës për një periudhë 13 vjeçare.

Praktika e mësipërme është kritikuar vazhdimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si mekanizëm për krijimin e borxhit publik, përtej limiteve ligjore. Gjithashtu, projektet koncesionare të qeverisë “Rama” për ndërtim rrugësh ngrenë pikëpyetje të mëdha sa i përket formës së përzgjedhur të prokurimit, pra partneritetit publik-privat, ashtu edhe kostos së tyre si dhe mbi faktin nëse projektet e përzgjedhura për t’u financuar janë apo jo rentabël./BIRN

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb