TIRANË- 30 maji ishte afati i fundit i dorëzimit të ofertave nga kompanitë e interesuara për koncesionin e “Rrugës së Kombit”. Sipas ministrisë së Transporteve janë dy konsorciume që kanë kërkuar mirëmbajtjen e autostradës.

Në garë janë shoqëria turke Vendeka Bilgi dhe konsorciumi Catalys & Salillari. Kjo e fundit pretendon se është fituese e koncensionit, pasi sipas saj ka paraqitur ofertën me vlerën më të ulët prej 5 milionë euro, ose thënë ndryshe 600 mijë euro më pak se kompania konkurrente në garë.

Ndërkohë nga Ministria e Transporteve konfirmojnë se nuk ka ende një fitues. Sipas saj për të shpallur fituesin e koncesionit do të duhen, sipas afateve ligjore disa javë, kohë që do t’i japë mundësinë komisionit të vlerësojë ofertën më të mirë ekonomike dhe teknike. Kjo është hera e dytë që Ministria e Transporteve ka hapur tender për të dhënë me koncesion rrugën Kalimash-Morinë.

Herën e parë tenderi dështoi, pasi ofertat nuk ishin me leverdi publike. Dhënia me koncesion për një periudhë 30 vjeçare përfshin  ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë. Firma fituese do të mbledhë dhe mbajë të ardhurat nga taksa që do të vendoset për kalimin e rrugës dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeo-teknike të stabilizimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb