Sipërmarrësja Fitnete Sulaj, presidente edhe e një shoqate për Sigurinë Rrugore, i kërkon ministrisë së Transporteve koncesionin e targave me çip-një projekt 35 vjeçar që do t’i kushtojë të paktën 48 euro çdo drejtuesi makine, ndërsa ngre pikëpyetje për cënimin e privatësisë.

Autor: Aleksandra Bogdani | BIRN | Tiranë

Sistemi i targave me çip ishte i panjohur në Shqipëri në fillim të vitit 2014, kur ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto e prezantoi si risi të së ardhmes, që do t’u jepte zgjidhje problemeve të pasigurisë në rrugët e vendit. Dy vjet më vonë, ky projekt rikthehet në formën e koncesionit më të ri të qeverisë shqiptare. Nëse miratohet, ai do t’u kushtojnë taksapaguesve më shumë se 95 milionë euro në 35 vjet.

Ideja e 2014-s është përqafuar nga një kompani private e quajtur Porta Saber Albania, e cila i ka kërkuar Ministrisë së Transporteve të drejtën e një koncesioni 35-vjeçar për pajisjen me çip elektronik të çdo makine që qarkullon në rrugët e Shqipërisë. Në shtator 2015, kjo kompani ka dorëzuar në ministrinë e Transporteve edhe studimin e fizibilitetit të koncesionit dhe është në pritje të një vendimi për miratimin e tij.

Studimi i fizibilitetit, të cilin BIRN e disponon parashikon që çdo pronar automjeti do të duhet t’i paguajë koncesionarit 48 euro (me TVSH) për instalimin e çipit elektronik. Mbas tre viteve të para ky çmim indeksohet sipas normës së inflacionit. Kompania Porta Saber Albania premton të investojë 6.259.853 euro në pesë vitet e para të koncesionit dhe parashikon të marrë mbrasht 95.9 milionë euro të ardhura në 35 vitet e operimit të tij. [Kliko për shkarkuar studimin e fizibilitetit]

Porta Saber Albania është një kompani e re, e themeluar më 20 prill 2015 në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, QKR. Kompania administrohet nga Fitnete Sulaj-sipërmarrëse e hershme në fushën e Sigurimeve dhe presidente e një shoqate të quajtur “Këshilli Kombëtar i Sigurisë Rrugore”.

Kompania zotërohet në 80 për qind të aksioneve nga Gentian Sula, djali i administratores, ndërsa 20 për qind të aksioneve i ka kompania portugeze Porta Saber, e cila zotëron edhe të drejtën e tregtimit të targave elektronike.

Porta Saber Albania është regjistuar me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh në QKR, me objekt kryesor “prodhim dhe printim targash, me ose pa mjete elektronike të identifikimit…”.

E njohur si drejtoreshë ekzekutive e kompanisë së sigurimeve Intersig, Fitnete Sulaj e devijoi aktivitetin e saj publik tek çështjet e sigurisë rrugore në vitet e fundit. Në shkurt 2014, ajo organizoi një tryezë për rritjen e sigurisë në rrugë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

E kontaktuar nga BIRN për fazën e këtij projekti, Ministria e Transporteve pranoi se kishte marrë një kërkesë për koncesion nga kompania Porta Saber Albania dhe se kishte ngritur një grup pune, sipas ligjit për koncesionet, me anëtarë dhe përfaqësues nga disa ministri.

Ministria nuk sqaroi mënyrën se si do të vlerësohej kjo kompani, e cila ka përgatitur edhe projektin e fizibilitetit për koncesionin, por deklaroi se kërkesa ishte në fazën e shqyrtimit.

“Kërkesa e kësaj kompanie është në fazën fillestare. Grupi i ngritur për trajtimin e kësaj kërkese ka filluar nga puna dhe sapo të ketë një raport përfundimtar, do ta bëjmë publike,” tha Arbër Hitaj, zëdhënës i ministrisë së Transporteve.

Përveç kostove ekonomike, projekti i targave me çip pritet të shkaktojë debat edhe për shkak të cënimit të privatësisë përmes të dhënave personale që depozitohen në sistem. Studimi i fizibilitetit të Porta Saber Albania është dërguar nga Ministria e Transporteve tek Komisioneri i të Dhënave Personale, por nuk ka marrë ende dritën jeshile nga ky institucion.

E kontaktuar nga BIRN, kompania Porta Saber Albania nuk pranoi të bënte komente mbi kërkesën që i ka drejtuar Ministrisë së Transporteve.

Kostot e koncesionit

Shqipëria numëron 490 899 mijë makina të regjistruara deri në fund të vitit 2014, por vetëm 360 mijë prej tyre mendohet se janë në qarkullim. Në anën tjetër, çdo vit hyjnë mesatarisht në qarkullim rreth 40 mijë makina të reja.

Studimi i fizibilitetit të kompanisë Porta Saber Albania ka llogaritur çdonjërën prej këtyre makinave në bilancin e saj të të ardhurave dhe shpenzimeve për 35 vitet e kërkuara të koncesionit.

Çipi elektrononik IVIS mundëson regjistrimin automatik të çdo makine që është duke qarkulluar në rrugë, në çdo moment të ditës dhe të natës. Sistemi parashikohet gjithashtu të gjenerojë alarme të veçanta për makinat që nuk i janë nënshtruar kontrollit teknik, makinat e vjedhura apo ato që nuk kanë paguar taksat vjetore.

Sipas studimit, sistemi inteligjent i identifikimit të makinave realizon gjithashtu matjen non-stop të shpejtësisë dhe matjen e shpejtësisë mesatare të automjeteve, mundëson mbledhjen e të dhënave për trafikun e makinave dhe realizojnë gjurmimin e tyre.

Porta Saber Albania parashikon që brenda tre vitesh të pajisë me çip elektronik targat ekzistuese, të cilat llogariten të jenë 360 mijë në total. Pas tre viteve të para, kompania parashikon të instalojë çdo vit 40 mijë çipe për makinat që hyjnë rishtaz në qarkullim.

Sipas studimit, çdo çip i instaluar i kushton 7 euro kompanisë dhe 48 euro qytetarit. Diferenca e madhe në çmim justifikohet me kostot shtesë për blerjen e 200 lexuesve të të dhënave që do të instalohen në rrugët e Shqipërisë, ngritjen e një qendre të kontrollit me vlerë 120 mijë euro dhe blerjen e makinave apo pagesat për stafin që do të realizojë projektin.

Në total, Porta Saber Albania parashikon të investojë rreth 6.2 milionë euro në pesë vitet e para dhe të marrë mbrasht si të ardhura mbi 95 milionë euro përgjatë 35 viteve të parashikuara.

Nëse miratohet, kostot e këtij koncesioni rëndojnë direkt mbi xhepin e pronarëve të automjeteve në Shqipëri, të cilët do të duhet të paguajnë edhe 48 euro më tepër. Buxheti i shtetit është gjithashtu i humbur nga këto të ardhura, pasi parashikohet të përfitojë vetëm tarifën koncesionare prej 2 për qind të të ardhurave të kompanisë.

Porta Saber Albania shkruan në studimin e saj se për 5 vite, do të derdhë në buxhetin e shtetit 448 mijë euro, pa llogaritur tatim-fitimin, taksat apo sigurimet shoqërore për të punësuarit e saj.

Të dhënat persona

Faksimile e Opinionit të Komisionerit të Drejtës së Informmimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, mbi koncesionin e pakërkuar të Porta Saber

Faksimile e Opinionit të Komisionerit të Drejtës së Informmimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, mbi koncesionin e pakërkuar të Porta Saber

Teknologjia e gjurmimit elektronik të makinave ka joshur në të shkuarën autoritete të vendeve perëndimore si ato britanike apo amerikane, por projektet janë kundërshtuar gjerësisht për shkak se ato u mundësonin qeverive përgjimin e çdo lëvizjeje të shtetasve të tyre.

I vetmi model të cilit mund t’i referohet qeveria shqiptare është ai i Azerbajxhanit-një vend autokratik që ka aplikuar deri më tani dhënien me koncesion të targave me çip.

Shqetësimi mbi të dhënat personale ka mbërritur në Ministrinë e Transporteve edhe nga komisioneri për të drejtën e informimit dhe të dhënat personale, Besnik Dervishi, pasi ka shqyrtuar projektin e kompanisë Porta Saber Albania për koncesionin e targave me çip.

Përmes një shkrese të datës 19 janar 2015, Dervishi i ka cilësuar parashikimet e kompanisë të pamjaftueshme për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe ka përcaktuar një listë të gjatë detyrimesh, që kompania duhet t’i përmbushë, në mënyrë që projekti të jetë i përputhshëm me ligjin. [Kliko këtu për të shkarkuar shkresën nga Besnik Dervishi]

Sipas Komisionerit, “kontrolluesi (kompania) duhet të sigurojë implementimin e masave për sigurinë e informacionit si dhe duhet të caktojë një person apo një grup personash, përgjegjës për shqyrtimin e masave teknike dhe organizative për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale”.

Komisioneri kërkon gjithashtu që të përcaktohet qartësisht koha e ruajtjes së informacioneve apo ndarja me të dhënave personale me palët e treta, si dhe projekti final me reflektimet përkatëse të kalojë sërish për miratim nga kjo zyrë.

Në studimin e fizibilitetit të kompanisë Porta Saber Albania, çështja e të dhënave personale dhe cënimi i privatësisë zë një vend fare të vogël në parashikimet voluminoze për koncesionin. Megjithatë, kompania shpreson që pasi të shesë çipin, të marrë edhe pëlqimin e pronarëve të automjeteve për përpunimin e të dhënave të tyre.

“Shoqëria ka parashikuar që në momentin e aplikimit për vendosjen e çipit, do të hartojë një deklaratë për marrjen e pëlqimit nga subjektet…ku ai pranon që të dhënat e tij të përpunohen”, thuhet në studimin e kompanisë.

Një parashikim i tillë ka pak gjasë të bëhet realitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: