Në 40-vjetorin e përurimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar është mbajtur një konferencë shkencore muzeologjike. Vetë godina që po i nënshtrohet rikonstruksionit ndër vite, nuk ia ka dalë t’i përngjajë muzeve të ngjashëm përtej vendit, ndërsa shpesh, sallat e tij kanë shërbyer për aktivitete të jashtme e takime që kanë ngjallur debat publik. Por konferenca shërbeu për diçka tjetër.

Drejtori Dorian Koçi tha se “mendoj që ka ardhur momenti i përshtatshëm për të promovuar një rrjet muzeal që do të shërbejë si rregullator i gjithë sistemit të muzeologjisë shqiptare nën Ministrinë e Kulturës”.

Muzeu si përçues propagandash e ideologjish në kohë të ndryshme ishte tjetër shqetësim duke marrë shkas nga e shkuara komuniste e jo më pak ajo demokratike.
Ministrja Elva Margariti tha se “për ne sot është padyshim një detyrim ndaj brezit të ri për ta ritreguar në mënyrë të saktë historinë dhe identitetin tonë shqiptar”.
“Orekset politike për ta vënë MHK në funksion të politikës së përditshme duke privilegjuar periudha e protagonistë në dëm të të tjerëve, nuk pajtohen me rolin e historisë”, tha Skënder Gjinushi.

Shqetësimet legjitime të të pranishmëve, për të ritreguar historinë përmes muzeut, nuk u ndoqën me plane konkrete. Me pavijone që kanë nevoje për rikonceptim e gjithnjë pa buxhete të mjaftueshme, muzeu gjithë çfarë tregon është shenjat e tërmetit dhe gjithaq të komunizmit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb