Kryeqyteti irakian priti fundjavën e kaluar “Konferencën e Bagdadit për Bashkëpunim dhe Partneritet”, e cila u mbajt në selinë e Kryeministrisë së Republikës së Irakut, me pjesëmarrjen e liderëve të 9 shteteve dhe qeverive të rajonit, Presidentit Francez, si dhe disa ministra të jashtëm dhe organizata rajonale e ndërkombëtare.
Konferenca e nivelit të lartë u fokusua në mbështetjen e Irakut, si dhe për të diskutuar sfidat, çështjet e përbashkëta dhe perspektivat e ardhshme politike dhe ekonomike në rajonin e Lindjes së Mesme.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Emiri i Katarit HH Sheikh Temim bin Hamad Al Thani, vlerësoi nismën dhe vizionin e qevesisë irakiane për ta rikthyer Irakun në pozicionin që meriton në rajon dhe botë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kësaj nisme, e cila pasqyron domosdoshmërinë e veprimit kolektiv për të ulur tensionet e shumta me të cilat përballet rajoni.

FJALA E PLOTE E EMIRIT TE KATARIT
Zonja dhe zotërinj!
Në radhë të parë, kam kënaqësinë t’i paraqes Kryeministrit të Republikës së Irakut, Sh.T.Z. Mustafa Al-Kadhimi, falënderimet dhe vlerësimet e mia të sinqerta për thirrjen e kësaj konference të rëndësishme.
Ne i vlerësojmë përpjekjet e bëra gjatë viteve të fundit për vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në Irak, si dhe mundin e derdhur për ndërtimin e institucioneve shtetërore, ruajtjen e pavarësisë dhe konsolidimin e sovranitetit kombëtar të Irakut.
Rajoni ynë ndeshet me shumë sfida dhe kriza. Disa nga vatrat e tensionit në rajon përbëjnë kërcënim jo vetëm për popujt e tij, por edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kjo kërkon adresimin e shkaqeve rrënjësore që çuan në shfaqjen e këtyre krizave të njëpasnjëshme.
Në këtë drejtim, ne theksojmë se uniteti i Irakut si shtet dhe popull, si dhe forcimi i institucioneve shtetërore legjitime, janë ndër hapat më të rëndësishëm në këtë kuadër.
Shteti i Katarit beson se Iraku është i aftë të luajë një rol aktiv në vendosjen e sigurisë dhe paqes në rajon. Nisur nga kjo perspektivë, ne jemi të gatshëm për ta mbështetur atë në rikthimin e rolit të tij dhe statusin që meriton si në nivel rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Gjithashtu, ne besojmë se siguria dhe stabiliteti i Irakut është pjesë integrale e sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të tjera në rajon. Nënvizojmë se do të vazhdojmë të mbështesim popullin irakan në përpjekjet e tij për të përmbushur aspiratat e veta për paqe, siguri dhe zhvillim.
Iraku është një vend i pasur me burime natyrore dhe njerëzore, por problemet që ka kaluar, si luftërat, terrorizmi dhe sëmundjet e shumta shoqërore e politike, e kanë penguar atë të shfrytëzojë potencialet e tij. Sidoqoftë, kjo është padyshim një situatë e përkohshme. Ne jemi të sigurt se Iraku po rizbulon burimet e fuqisë së tij, më kryesorja e të cilave është vetë qytetari irakian.
I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të sigurojë mbështetjen e nevojshme për këtë vend, për t’i mundësuar atij të përfundojë rindërtimin e institucioneve civile dhe ushtarake, me qëllim që të arrijë sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin aq të dëshiruar për popullin vëlla irakian pas vuajtjeve të gjata.
Në përfundim, theksoj edhe një herë se Shteti i Katarit nuk do të kursejë asnjë përpjekje për t’iu gjendur pranë Irakut dhe për të ndihmuar vëllezërit tanë irakianë në zhvillimin e gjithanshëm të vendit të tyre. Gjithashtu, shpresojmë që kjo konferencë të kontribuojë në krijimin e një mjedisi mbështetës rajonal për përmbushjen e këtyre synimeve fisnike.

Nga ana tjetër, lidershipi i Irakut shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për praninë aktive të krerëve të vendeve mike, ministrave të jashtëm, organizatave rajonale dhe ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që marrin pjesë dhe monitorojnë në Konferencën e Bashkimit dhe Partneritetit në Bagdad.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb