TIRANË- Konfindustria vlerëson, se marrëveshja për tregtinë e lirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor/CEFTA në zbatimin në praktikë ka rezultuar në mënyrë të përgjithshme e pasuksesshme dhe larg synimeve fillestare. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku deklaron se dështimi i CEFTA-s është një goditje e politikës së Brukselit/

“Marrëveshja CEFTA është arritur me kërkesën, trysninë dhe ndërmjetësinë e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian dhe si e tillë dështimi i saj, është në thelb goditje e politikës së Brukselit për vetë procesin e integrimit të shteteve nënshkruese”, shprehet Buxhuku, i cili shton se Konfindustria do ti kërkojë qeverisë rinegociimin e disa prej kapitujve kryesorë të kësaj marrëveshjeje.

“Konfindustria do ti kërkojë zyrtarisht Qeverisë së Shqipërisë rinegociimin në një kohë sa më të shpejtë të disa prej kapitujve kryesorë të CEFTA-s për të shmangur dështimin e plotë të saj”, thekson më tej Administratori i Konfindustrisë.

Ai sjell si shembull për konstatimet, rastin më të fundit të bllokimit të përsëritur të produkteve shqiptare nga pala maqedonase.

“Konfindustria vlerëson, se rasti i fundit i bllokimit të paarsyeshëm dhe i përsëritur disaditor i prodhimeve me origjinë shqiptare nga Maqedonia si dhe raste të tjera të shumta, që kanë penguar tregtinë e lirë ndërmjet vendeve të Rajonit, janë tregues i qartë i problematikës së CEFTA”, sqaron ai.

Buxhuku deklaron se “Dështimi i marrëveshjes CEFTA ka ardhur nga zbatimi në masë në praktikë i pengesave/barrierave jotarifore të qëllimshme dhe të pambështetura nga vendet e rajonit ndaj prodhimeve të vendeve të tjera”, duke shtuar se Shqipëria është nga vendet më të prekura nga mosrespektimi i kushteve të tregtisë së lirë dhe marrëveshjes CEFTA nga vendet e Rajonit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb