TIRANË- Konfindustria do t’u kërkojë zyrtarisht qeverisë dhe parlamentit që të ulen taksat. Në një deklaratë të djeshme, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku shprehej: “Konfindustria do t’u kërkojë ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike në përgjithësi, që shtyllat kryesore të paketës fiskale 2016 të përbëhen nga ulja tërësore e taksave dhe tatimeve, shmangia e shkaqeve të informalitetit dhe njëkohësisht marrja parasysh e masave mbështetëse për prodhimin vendor”.

“Konfindustria vlerëson, se drafti në qarkullim i paketës fiskale 2016 në përgjithësi nuk i përshtatet gjendjes së tashme të rënduar të ekonomisë shqiptare. Rritja e parashikuar e akcizave dhe taksave për prodhimet vendore si birra, vera, pijet alkoolike dhe, nga ana tjetër, lehtësimi për prodhimet e importit, do të jetë me pasoja të rënda të drejtpërdrejta, deri në faliment, për sektorët e industrisë shqiptare”, thuhet në deklaratën e djeshme të Konfindustrisë.

“Heqja ose zbutja e masave mbrojtëse ligjore në fuqi, tërësisht të mbështetura në direktivat dhe përvojën e BE-së, është goditje me pasoja të paparashikueshme për prodhimin vendor dhe nënshtrim i plotë ndaj lobimeve të importuesve”, vijon deklarata e Konfindustrisë. “Konfindustria kundërshton rritjen e taksave mbi primet siguruese të detyrueshme, që, në kushtet e tregut të mbyllur dhe pa konkurrencë sektoriale, do t’u përcillet drejtpërdrejt qytetarëve dhe bizneseve. Gjithashtu, e papranueshme është edhe vendosja e taksave mbi truallin si dhe taksave dhe tatimeve të tjera të parashikuara në draftin në qarkullim të paketës fiskale”, e mbyll deklaratën e saj Konfindustria.

Reagimi i Konfindustrisë vjen pak ditë pasi në media u publikua lajmi, se nga 1 janari, qeveria ka vendosur të rrisë me 7 për qind taksën mbi primet e sigurimeve. Kjo është taksa që paguhet sa herë që presim sigurimin e makinave. Aktualisht kjo taksë është 3 për qind, por qeveria ka vendosur ta bëjë 10 për qind. Në fund të tetorit, kryeministri Edi Rama prezantoi në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar paketën e re fiskale. Kreu i qeverisë i bëri thirrje biznesit që të ketë kujdes me ndryshimet e reja në ligjin “Për Procedurat Tatimore”, duke thënë se nisma e ekzekutivit përcakton shumë qartë detyrimet e palëve.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb