Fitorja përballë Maqedonisë nuk i ka shërbyer shumë Kombëtares shqiptare të futbollit, e cila ka humbur tri pozicione në renditjen e përmuajshme të publikuar sot nga FIFA në ueb-faqen zyrtare. Shqipëria gjendej në vendin e 37-të një muaj më parë, por pikët ndaj Maqedonisë, e cila renditet jashtë 100 skuadrave më të mira (146, -8 pozicione këtë muaj), nuk e kanë ndihmuar për të fituar pozicione. Përkundrazi, duke i përllogaritur edhe humbjen në tavolinë në miqësoren me Luksemburgun për shkak të kartonit të kuq të Kaçes, kuqezinjtë e shohin veten në vendin e 40-të.

Sa u përket skuadrave të tjera të Grupit G të eliminatoreve të Botërorit, ku bën pjesë Shqipëria, Spanja pozicionohet më lart, në vendin e 11-të, por duke zbritur 3 shkallë në krahasim me një muaj më parë. Italia e ndjek në vendin e 13-të, gjithashtu me 3 vende të humbura brenda muajit të fundit. Izraeli renditet në vendin e 98-të, pasi ka humbur 22 pozicione në këtë muaj, ndërsa Lihtenshtejni është i 182-ti, e vetmja skuadër e grupit që nuk ka lëvizur në krahasim me muajt e mëparshëm.
Renditja
Ndërkaq, barazimi historik me Finlandën e ka ngjitur Kosovën plot 22 shkallë, nga vendi i 190-të në të 168-in. Rivalët e saj në Grupin I të kualifikueseve të Botërorit, sigurisht që renditen më lart, pasi ekipi kosovar është përfshirë në këtë klasifikim prej vetëm pak muajsh, duke u pozicionuar fillimisht në fundin e tij. Kroacia është e 14-ta (+1), Turqia në pozicionin e 21-të (-2), Islanda në të 27-in (-4), Ukraina në të 29-in (+1) dhe Finlanda në vendin e 84-t. Duhet theksuar se barazimi me Kosovën u ka kushtuar shumë shtrenjtë finlandezëve, të cilët kanë humbur 23 pozicione nga renditja paraardhëse./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: