Miqësorja festive ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë do të luhet më 13 Nëntor në Prishtinë. Ndryshimi i datës, për takimin që më parë ishte parashikuar të luhej në datën 17, u konfirmua nga presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri.

Sipas kreut të FFK-së, data 13 është zyrtare, me ndeshjen që do të luhet në stadiumin e kryeqytetit të Kosovës, në orën 14:00. Sipas Vokrrit, Federata Kosovare ra dakord për ndryshimin e datës, në mënyrë që përfaqësuesja kuqezi të ketë më tepër mundësi për të gjetur një kundërshtar, edhe për një miqësore të dytë, shkruan “Portalb”.

Për të finalizuar datën 13 Nëntor për ndeshjen, pritet vetëm konfirmimi nga FIFA, që në parim është thjesht një formalitet. Pas kualifikimit historik të Shqipërisë në finalet e Kampionatit Europian Francë 2016, miqësorja në Prishtinë u konceptua si një ditë feste.

Kjo për faktin se pas suksesit të arritur në Armeni, Kombëtarja festoi vetëm në Tiranë dhe prej angazhimeve të futbollistëve kuqezi, nuk arriti ti përgjigjej pozitivisht ftesave për tu bashkuar edhe me entuziazmin e tifozëve në Kosovë. Përsa i takon miqësores së datës 17 Nëntor, FSHF vazhdon të kërkojë një rival. Miqësoret me Kroacinë dhe Bullgarinë nuk u realizuan, ashtu si edhe testi me Finlandën. Një kundërshtar potencial mbetet Gjeorgjia, por asgjë nuk është kristalizuar ende.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: