Tashmë nuk ka më dyshime, kontrata e blerjes së Kristal Abazajt është dorëzuar në FSHF. Ashtu siç ka paralajmëruar prej kohësh “Panorama Sport”, konfirmohet zyrtarisht, se Skënderbeu ka blerë kartonin e lojtarit te Luftëtari, për shumën rekord të 200 mijë eurove. Kjo shifër është shkruar e zeza mbi të bardhë në kontratën që kanë paraqitur dy klubet, në ditën e fundit të transferimeve.

Burime të sigurta pranë sektorit të garave në FSHF, i thanë dje gazetës se klubet kanë përpiluar dokumentacionin dhe e kanë regjistruar blerjen e lojtarit. Gjithashtu, kanë paraqitur një kontratë huazimi, teksa Abazaj do të jetë deri në fund të sezonit pjesë e Luftëtarit. Kontrata e lojtarit me Skënderbeun është 2.5 vjeçare dhe duke filluar nga ky muaj, talenti tropojan, që shpërtheu te Luftëtari, do të paguhet me 5 mijë euro në muaj.

Pagesa e tij do të kryhet nga klubi i Skënderbeut, në bazë të marrëveshjes që presidentët Ardjan Takaj dhe Grigor Tavo kanë arritur. “Nëse flasim për transferime të lojtarëve në skuadra brenda vendit, kjo është pa dyshim shifra rekord, që ka paguar një klub shqiptar. Nuk ka pasur asnjë rast tjetër, që të paguhen 200 mijë euro për blerjen e kartonit”, treguan për gazetën burime konfidenciale në FSHF.
Luftëtari, jo vetëm ka mbushur arkat, por tashmë mund të përfitojë sërish nga rishitja e mundshme e Abazajt. 20% e pronësisë së kartonit u ka mbetur gjirokastritëve dhe në rast se Skënderbeu arrin të shesë në verë Abazajn, do të mbushë sërish arkën.
Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/konfirmohet-shifra-rekord-per-abazaj-transferimi-me-i-shtrenjte-ne-kampionatin-shqiptar/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: