Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka qenë i ftuar sot në emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 për të folur për një sërë çështjesh.

Ai deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka pranuar dje ta marrë në shqyrtim kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, në lidhje me konfiskimin e pronave.

“Ka një datë, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur dje vendimin. Data e shqyrtimit të kërkesës së grupit parlamentar të PD-së do të jetë më 11 prill. Grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar shpalljen antikushtetuese lidhur me disa nga këto çështje që unë kam ngritur, pra jo në tërësi sepse fokusi i grupit parlamentar ka të bëjë me mbrojtjen e individit dhe shkeljen e barazisë. Ndryshe sanksionohen individët dhe ndryshe kompanitë e ndërtimit, pra duke bërë këtë diferencim, kurse qasja që unë them, gjithë analizës që i kam bërë vendimit të qeverisë përmblidhet në 7 implikime kryesore”, u shpreh Halimi.

I pyetur nëse ka pritshmëri se Gjykata Kushtetuese do ta shpallë si antikushtetues këtë VKM kur të paktën 3 anëtarë janë të zgjedhur nga qeveria, ai tha se shpreson që të gjithë anëtarët do të ngrihen në integritetin e tyre profesional

“Për një vendim duhen minimumi 5 vota sepse merret në mbledhjen e përgjithshme. Në shqyrtim është vetëm kërkesa e grupit parlamentar të PD-së që përmbledh nga këto 7 qe them unë, 3. Unë do doja që ndoshta të kishte dhe grupe të tjera interesi që t’i bashkoheshin këtij qëndrimi. Mund të ishte Avokati i Popullit që mund ta kishte ngritur, mund të ishte individ sepse individët preken kryesisht nga ky vendim konfiskimi. Analiza juaj është e drejtë, megjithatë shpresojmë që të gjithë anëtarët do të ngrihen në integritetin e tyre profesional, do shohin me vëmendje të gjithë elementët e antikushtetueshmërisë së këtij vendimi qeverie, do marrin në shqyrtim jurisprudencën edhe të Gjykatës së vjetër Kushtetuese, do marrin edhe vendimet dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut dhe Gjykatave të tjera ndërkombëtare dhe në qoftë se i shikojnë të gjitha këto janë të paktën 16 vendime të Gjykatës së Strasburgut, jo vetëm për Shqipërinë, janë për vendet anëtare të Këshillit të Europës që pikërisht trajtojnë këto çështje, pra shkeljen që bën qeveria në këto raste, prekjen e së drejtës së pronës, pavarësinë e sistemit gjyqësor, pjesën e sigurisë juridike dhe po t’i shohim të gjitha këto shpresojmë që do kemi një vendim pozitiv”, u shpreh Halimi.

Nëse nuk do ta merrte në shqyrtim, ose do ta rrëzonte kërkesën, Halimi tha se mund të kishte mjete të tjera.

“Qytetarët që kanë ngritur padi në gjykatat administrative, mund të kërkojnë gjyqtarët e këtyre gjykatave, mund të bëjnë kontrollon incidental. Pra gjyqtari kur shikon që ka përpara një vendim qeveria apo një ligj, i cili ka implikime kushtetuese atëherë e pezullon gjykimin në Shkallën e Parë dhe i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të shprehet. Këto akoma nuk kanë ndodhur.

Shpresoj që kolegët e mi avokatë që kanë raste të tilla ta përdorin këtë mjet juridik, pra kontrollin incidental të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ata t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e shkallës së parë dhe pastaj nëse Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte ata do t’i drejtoheshin Gjykatës së Strasburgut nëse janë individë, apo në qoftë se janë kompani mund t’i drejtoheshin Arbitrazhit ndërkombëtar. Por sigurisht kjo është një lodhje e gjatë, një shpenzim i madh për individët, krijon pasoja të jashtëzakonshme për vetë ata, për stresin e tyre”, deklaroi Halimi.

Duke vijuar arsyetimin, ai theksoi se janë ligjet pastaj është VKM-ja dhe nuk mundesh që me vendim qeverie të rregullosh diçka që parashikohet në Kodin Penal sepse Kodi Penal miratohet me 84 vota, vendimi i qeverisë sigurisht është një akt me fuqi ligjore më të vogël.

“Është një VKM e cila është selektive sepse në radhë të parë bazohet mbi aksion. Ju shikoni, nisen fadromat sot, me të drejtë BIRN e kishte analizuar duke thënë se kjo VKM bazohet në zinxhirët e fadromave, pra është një aksion politik. Sot nisemi dhe themi do kontrollojmë ligjshmërinë në bregdetin e Golemit, nesër nisemi dhe themi do ta kontrollojmë te liqeni në Tiranë. pastaj nga këtu kalojmë në Shkodër, pra nuk ka një akt normativ, siç është VKM-ja i cili shtrihet në mënyrë të njëtrajtshme dhe t’i trajtojë njerëzit në mënyrë të drejtë. Për disa shteti thotë se duhet të ketë ndjekje penale, për disa të tjerë duhet të ketë tritol, për disa të tjerë duhet të ketë gjobë, për disa të tjerë duhet të ketë konfiskime. Pra të gjitha këto lloj implikimesh nuk mund të rregullohen me vendim qeverie, sepse hierarkia e normave parashikohet që në bazë të nenit 116 të Kushtetutës, është Kushtetuta, janë Kodet, civil dhe penal, pastaj vijon Kodi i Procedurës Administrative. Janë ligjet pastaj është VKM-ja. Nuk mundesh ti që me vendim qeverie të rregullosh diçka që parashikohet në Kodin Penal sepse Kodi Penal miratohet me 84 vota, vendimi i qeverisë sigurisht është një akt me fuqi ligjore më të vogël. Rregullimi i këtyre normave që ti kërkon t’i bësh jo me ligj me 3/5, as me ligj që kërkon shumicë të thjeshtë, por me vendim qeverie, akt normativ bie ndesh me Kushtetutën, është implikim i rëndë kushtetues”, tha Halimi.

Ai foli edhe në lidhje me emrin që do të preferonte në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

“Mendoja që Avokati i Popullit duhet ta kishte ngritur këtë çështje.  Duhet ta kishte bërë, por ndoshta për shkak se Avokatit të Popullit i ka mbaruar edhe mandati dhe është në pritje të zëvendësohet… Nuk gjej arsye tjetër veç kësaj që kjo padi nuk është bërë ende, pasi të ngrihet një shqetësim i tillë nga Zëri i Amerikës për qytetarët shqiptarë që po i shkrelën të drejtat, rrjeti gazetar investigativ që  po i shkrelën individëve të drejtat kushtetuese dhe Avokati i Popullit të mos e ngrejë, kjo është pak e çuditshme. Le të shpresojmë që Avokati i ri do ta bëjë.

Nëse do kisha mundësi të zgjidhja nga listat për këtë post, do zgjidhja menjëherë Ilir Rusmajlin, është një nga juristët më të mirë dhe nëse do të zgjidhej do të ishte një nga shërbimet më të mira që do t’i bëhej vendit”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb