Dhuna në familje duket se i ka kapërcyer kufijtë dhe po përshkallëzohet nga dita në ditë.

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pak minuta më parë në fshatin Krekëz të Njësisë Administrative Lumas në qytetin e Kuçovës.

Gazetarja Eneida Petova tha për BalkanWeb se pas një grindjeje familjare arsyet e të cilës nuk dihen ende, 55-vjeçari Idajet Veizllari, ka rrahur bashkëshorten e tij, duke e lënë pa ndjenja në tokë.

Britmat e gruas kanë tmerruar familjarë dhe komshinjtë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe spitalin.

Por, 55-vjeçari Idejat Veizllari, në kushte të rënda shoku, ka pirë “fostoksinë”, duke tentuar vetëhelmimin.

Të dy bashkëshortët janë transportuar në gjendje të rëndë drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gruaja është e shtruar dhe me plagë të shumta për shkak të goditjeve të marra, ndërkohë që 55-vjeçari është nisur në gjendje kritike për jetën drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Mjekët e Spitalit të Beratit kanë deklaruar se sasia e helmit të marrë nga Veizllari kishte depërtuar në gjak dhe kjo e çoi pacientin në gjendje kritike për jetën.

Në Spitalin e Beratit, por edhe në banesën e çiftit Veizllari kanë shkuar forca të shumta policie, të cilët kanë marrë në pyetje të afërm e familjarë në lidhje me ngjarjen e rëndë, shkaqet e të cilës nuk dihen ende.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb