*Prindërit e viktimës: Autori lëvizte me armë në fshat, policia e dinte
KAVAJE- Konflikti për prerjen e një plepi i ka kushtuar jetën 31-vjeçarit Ismet Xhani, në fshatin Luz i Madh, në Kavajë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, kur 31-vjeçari Xhani është qëlluar me pushkë nga shtetasi Xhevdet Saraçi, 56 vjeç.

Sipas policisë, 31-vjeçari ka tentuar të presë një plep pranë tokës së 56-vjeçarit Saraçi, por ky i fundit ka kundërshtuar. Pas konfliktit verbal mes tyre, 56-vjeçari ka qëlluar me pushkë në drejtim të Ismet Xhanit, duke e plagosur rëndë. I riu është transportuar menjëherë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Policia e Kavajës ka mundur të arrestojë autorin, vetëm pak minuta pas ngjarjes, ndërsa sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe armën e krimit, një pushkë 10-she.
Ndërkohë policia e Kavajës po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

PRINDERIT E VIKTIMES: AUTORI LEVIZTE ME ARME NE FSHAT, POLICIA E DINTE
“Ma vrau djalin policia, ai shëtiste me armë, policia e dinte, por nuk ja kish marrë armën. E çova në spitalin e Kavajës, ishte i ngrohtë djali. Po nuk kishin garza. E morën e hodhën në ambulancë dhe e sollën në Durrës. Ku ta gjej djalin se më ka lënë një fëmijë 3 muajsh. E kam rritur me 100 halle” – shprehet nëna.

Babai i 30-vjeçarit, Zybi Xhani deklaroi se kish qenë për të marrë pensionin në Kavajë dhe shpërblimin e Vitit të Ri, kur e mori lajmin.
”Tani që vdiq çuni nuk e dua më jetën, më vrisni. Nuk dua të jetoj më. Gruaja e çoi djalin në spital dhe policia e spitali ma lënë gruan atje të vetme, ndërsa çunin ma sollën në Durrës. Pse e lanë gruan vetëm? Si nuk kanë zemër këta njerëz? Nuk e dimë pse e vrau. Si na vrau djalin? Na la me një ferishte 3 muajshe?”- shprehet i ati.

“Na thanë që e kish vrarë për drutë e zjarrit. Ai shëtiste i lirë rrugëve të fshatit me armë zjarri. E dinte policia, se ja kish marrë armën disa herë, por ai prapë me armë lëvizte, derisa vrau djalin tonë për një plep, që do ngrohej.” – thotë Vath Xhani xhaxhai i viktimës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: