Një gazetar i shquar somalez, i cili ishte një kritik i grupit të armatosur al-Shabab, u vra nga një sulmues vetëvrasës teksa po dilte nga një restorant në kryeqytetin, Mogadishu.

Al-Shabab mori përgjegjësinë për shpërthimin, i cili vrau drejtorin e Radio Mogadishu, Abdiaziz Mohamud Guled, i njohur zakonisht si Abdiaziz Afrika. Sulmi plagosi disa persona të tjerë, duke përfshirë drejtorin e Televizionit Kombëtar Somali dhe një shofer.

“Kushëriri im Abdiaziz u vra nga një kamikaz menjëherë pasi doli në një restorant… Ai vdiq ndërsa u dërgua me urgjencë në spital”, tha kushëriri i tij, Abdullahi Nur, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Zyrtari qeveritar Ismael Mukhtar Omar, një ish-koleg i Abdiaziz, i tha agjencisë së lajmeve AFP se policia kishte konfirmuar se shpërthimi ishte shkaktuar nga një kamikaz.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb