Një letër e dërguar nga e ëma për të, ka emocionuar Luiz Ejllin mbrëmjen e së martës. Nëna e këngëtarit gjendet në SHBA, së bashku me familjen e së bijës. Në pamundësi për të ardhur, ajo i kishte dërguar të birit një letër shumë të ndjerë, si dhe një audio mesazh.

Vetë Luizi u shpreh se nëse do të vinte, fjala e parë që do t’i thoshte do të ishte “si u fute pa më thënë”.

Artisti la të kuptohej se ishte bërë pjesë e lojës pa lajmëruar familjarët e tij. Duket se shkak për këtë është bërë pikërisht një debat që ka pasur me familjen e tij kohët e fundit para se të bëhej pjesë e formatit. Zërat për këtë sherr mes familjes erdhi kur Luizi u shpreh javë më parë se ishte me një sëmundje të rëndë. Teksa të gjithë prisnin që familja të reagonte, nga ana e tyre ishte një heshtje e plotë. Pasi lajmi u publikua në rrjet, menjëherë erdhi edhe një reagim në rrjetin e tij personal, “Instagram”.

Janë dashur këto aludime që familjarët e këngëtarit të reagojnë dhe të hedhin poshtë këtë gjë duke e cilësuar si “shpifje”. Ata kanë kërkuar nga protalet dhe ndjekësit që të komentojnë dhe të shkruajnë për atë që Luizi jep aty brenda shtëpisë pa përfshirë njerëz, të cilët ndodhen jashtë.

“Përshëndetje! Duke ju uruar që të jeni mirë, në emër të familjes së Luizit duam të sqarojmë opinionin publik për shpifjet që qarkullojnë në emër të djalit tonë ndërkohë që vazhdon rrugëtimin e tij në ‘Big Brother Vip’. Portalet që shkruajnë sikur Luizi nuk flet me familjen e tij, janë trillime dhe shpifje shumë të ulëta për të përfituar në kurrizin e tij, këto janë lajme të rreme vetëm si e si të bëhet lajm. U lutemi të kemi mirëkuptimin tuaj dhe të shkruani për atë që Luizi po jep në BBV jo duke përfshirë njerëz të tjerë që janë jashtë shtëpisë së ‘Big Brother Vip’. Me shumë dashamirësi dhe respekt familja e Luizit”, shkruhet në deklaratën e familjarëve të postuar në “Instagram”-in e këngëtarit, që si thuhej menaxhohej nga familjarë të tij.Por, vetë Luizi brenda në shtëpi është shprehur se adresa menaxhohet nga miqtë e tij.

Një tjetër moment që u duk i dyshimtë nga familjarët e tij ishte edhe dasma brenda shtëpisë me Kiara Titon. Megjithatë, për të shuar të gjitha zërat u kujdesën miqtë e tij që publikuan një bisedë me nënë e këngëtarit. Pas fotos së dërguar të çiftit, ajo kishte shkruar “të trashëgohen”.

Një reagim i shkurtër për një ngjarje që për vetë këngëtarin do të kishte një rëndësi të veçantë. Krisja e marrëdhënieve mes tyre është bërë shkak që Luizi të shkëpusë për disa kohë kontaktet, kohë kjo që përkon edhe me futjen e tij në lojë, në këto kushte pa lajmëruar asnjë nga familja. Por, duket se me letrën dhe me mesazhin e dërguar brenda shtëpisë, raportet e tyre janë rivendosur dhe mamaja e këngëtarit, i ka bërë me dije se e mbështet në këtë rrugëtim të tij. Fill pas surprizës, në studiot televizive është diskutuar shumë rreth raportit të këngëtarit shkodran me familjen e tij.

Në emisionin “Shqipëria Live” ishte e ftuar mikesha e Luizit, Graciela Kiri. Kjo e fundit tha se është emocionuar nga letra e nënës së këngëtarit të njohur. Ajo u shpreh se kjo letër i ka dhënë forcë atij si dhe ka marrë mesazh se nëna e tij është mirë, pavarësisht se ajo nuk është shumë mirë me shëndet.

“U emocionova. Letra ishte letër nëne. Emocion pafund. Luizi dridhej me atë letër, sytë e skuqur. E ka karikuar, i ka dhënë forcë. I ka dhënë mesazh se nëna është mirë, pavarësisht se ajo nuk është shumë mirë me shëndet kohët e fundit. Do ndikojë fuqishëm”, tha mikesha e Luizit. Këtu ndërhyn gazetari, Gerald Qerimi, i cili tha se pse nxirrni këto teori që nëna e banorit të BB VIP është sëmurë.
“Po pse thoni që nëna e Luizit nuk është mirë me shëndet, se ai dje artikuloi se nëna punon në Amerikë. Pse duhet të nxjerrim këto teoritë që nëna e Luizit nuk është mirë, se unë nuk e dëgjova në asnjë moment të paktën nga Luizi. Ai tha dua ta fitoj ‘Big Brother’ që nëna mos të punojë më”, tha ai.

Ndërkohë, mikesha e Luizit iu kthye: “Ke të drejtë. Unë them nga ato informacione konfidenciale që kam. Mos harroni që në botën e qytetëruar, në botën moderne, Amerikë, gjithandej Evropën Perëndimore, nuk punojnë vetëm ata persona që nuk duan të punojnë dhe ata që janë në gradë të fundit. Që do të thotë edhe sikur të jesh i sëmurë, pra mund të punosh”.

Dashur pa dashur, mikesha ka zbuluar se nëna e konkurrentit të “Big Brother” është sëmurë. Po duket se sëmundja e saj nuk është aq e rëndë sa për ta shkëputur nga jeta aktive në SHBA, mes angazhimeve në familje dhe punës që bën atje. Vetë Luizi, mes lotësh u shpreh që sapo të dalë nga Big Brother do ti mundësojë të ëmës një jetë më të mirë, që mos të punojë më.

Një tjetër moderator që ka zbuluar se nëna e Luizit është e sëmurë ka qenë edhe Fjodora Fjora.

Në emisionin “Ditë pas Dite” në RTSH ajo ka komunikuar me moderatoren Fjodora Fjora duke i treguar se e ka ndjekur të birin në eksperiencën e “Big Brother Vip” dhe është e lumtur për këtë rrugëtim të tij. Në mbyllje të telefonatës, moderatorja perifrazoi disa fjalë nga biseda me nënën e Luizit.

“U detyrova ta heq sepse ajo është pa qejf. Jam e lumtur që Luizi është mirë. Aty është një lojë e madhe nervash për të gjithë. Uroj të ketë sa më pak njerëz negativë dhe ta shijojnë. Do kisha dash të isha aty por gjendja shëndetësore nuk ma lejon”, është shprehur ajo.

Nga ana tjetër, miku i Luizit, Meridiani i cili po ashtu ishte i ftuar në studio tregoi se nëna e këngëtarit nga Shkodra nuk është shumë e interesuar për çmimin e madh, por për gjendjen e djalit.

“Unë flas shpesh dhe kur i them që Luizi do fitojë më thotë: Unë dua që djali im të dalë ashtu si ka hyrë duke qeshur”, u shpreh ai.

Tashmë, që marrëdhënia e tyre është rikuperuar dhe nëna e artistit shkodran e ka treguar hapur mbështetjen ndaj të birit, për vetë Luizin ka qenë një lehtësim si në jetën e tij të përditshme, ashtu edhe në lojë. Mbetet për t’u parë nëse mamaja e tij do të arrijë të jetë në Shqipëri për finalen e madhe, ku me gjasa Luizi do të jetë një nga konkurrentët finalist./Panorama Plus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb