Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po bëjnë thirrje për përmbajtje pasi luftimet në kufirin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë shkaktuar një numër të madh viktimash. Ministria azerbajxhanase e mbrojtjes tha sot se 71 ushtarë të saj janë vrarë në konflikt, ndërsa Armenia ka njoftuar se 105 ushtarë të saj kanë humbur jetën në luftimet mes dy vendeve.

Të afërmit e ushtarakëve armenë, të plagosur në përleshjet me ushtrinë e Azerbajxhanit, u mblodhën jashtë një spitali ushtarak në Jerevan për të mësuar më shumë mbi gjendjen e tyre.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të shqetësuara nga njoftimet për plagosje të civilëve brenda Armenisë dhe se Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka biseduar me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.

“Ai i kërkoi Presidentit Ilham Aliyev që të ndërpresë menjëherë armiqësitë, të ndalë angazhimin e forcave ushtarake, të tërheqë trupat nga kufiri, të ndërpresë operacionet që mund të rrezikojnë civilët dhe të punojë për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis Armenisë dhe Azerbajxhanit përmes negociatave paqësore”, tha ai.

Banorët armenë të fshatit Sotk, pranë kufirit me Azerbajxhanin, u thanë gazetarëve se shtëpitë e tyre u bombarduan nga ushtria azerbajxhanase.

Të martën, zoti Blinken tha se kishte folur me udhëheqësit e të dyja vendeve.

“Fola me të dy udhëheqësit, u bëra thirrje atyre të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u tërhequr nga çdo konflikt dhe për t’u rikthyer në bisedimet për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme midis vendeve të tyre”, tha Sekretari Blinken.

Ministria armene e Mbrojtjes publikoi një video të martën që thotë se tregon forcat e Azerbajxhanit duke avancuar në territorin e saj. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se është i befasuar me këtë rritje të armiqësive, duke marrë parasysh negociatat që po vazhdonin.

“Dhe tani, papritur, ne jemi në mes të asaj që unë e konsideroj si një hap të madh prapa në atë proces. Mua më duket sikur jemi në nëntor të vitit 2020, kur shpërtheu lufta 44-ditore”, thotë Richard Kauzlarich, ish ambassador i Shteteve të Bashkuara në Azerbajxhan.

Në fund të muajit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit publikoi gjithashtu imazhe të njësive të ushtrisë të dislokuara në qytetin strategjik të Lahinit në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut. Gjatë luftës së vitit 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut.

Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe në të kaluarën është parë si një aleat i Jerevanit dhe një ndërmjetës kryesor në konfliktet në rajon.

Por ekspertët thonë se tani që Rusia është e përfshirë në sulmin ndaj Ukrainës, nuk është e qartë se çfarë roli do të luajë Moska në këtë konflikt./ VOA
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: