TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se konflikti i Sali Berishës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka kushtuar PD-së. Nga Kuvendi Kombëtar, Basha shpalli vullnetin e tij, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët strategjikë duke theksuar se “Euroatlantizmi ynë s’mund të hidhet në asnjë votim, në asnjë referendum”.

“Sot, konflikti që Sali Berisha ka pasur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe çdo anëtari dhe votuesi të saj.
Ndaj sot është dita, në këtë kuvend, që ne të ndahemi qartësisht nga kjo fazë e cila na ka kushtuar shumë, na ka rraskapitur, na ka lënë jashtë aksesit të pushtetit, na ka lënë jashtë institucioneve, ka ulur ndjeshëm shanset për të ardhur në pushtet, ka ulur ndjeshëm shanset për të realizuar projektet tona për zhvillimin e Shqipërisë dhe demokracisë Shqiptare.

Unë dua të shpall sot vullnetin tim, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët tanë strategjikë. Partneriteti i plotë dhe pa dilema me SHBA, partnerin tonë strategjik që ishte në krahun tonë në betejën për përmbysjen e komunizmit dhe fitores së forcave demokratike, dhe mezi pret të jetë me ne deri në fitoren e ardhshme të PD në krye të qeverisjes së vendit, është në themel të PD-së, është në kodin gjenetik të PD.
Dhe nuk ka nevojë për asnjë votim, asnjë matje, asnjë konfirmim, për asnjë proces i cili mund ta vendosë atë në diskutim. Ky partneritet është i thjeshtë, i natyrshëm, i plotë dhe i thellë”, deklaroi Basha.

Ai theksoi më tej se “ne, nga sot, heqim çdo paqartësi lidhur me aleancën me SHBA”. “Jo vetëm se ky është interesi ynë strategjik, por sepse ne e besojmë këtë gjë. Euroatlantizmi ynë ka lindur me PD dhe si i tillë ai nuk mund të vihet në asnjë votim, në asnjë referendum dhe në asnjë proces.
Ne duhet të ndahemi qartësisht nga kundërvenia dhe të koordinojmë me aleatët tanë të gjitha ato akte, ato reforma, ato projekte të cilat synojnë reformimin e shtetit shqiptar, shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri, duke mirëpritur, konfirmuar dhe iniciuar çdo iniciativë që shkon në favor të interesit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, u shpreh ai.

Basha tha më tej se sot pos spekullohet me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte enveriste dhe populiste.

“Shumë po spekulohet këto kohë me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte enveriste dhe populiste, të cilat shqiptarët i kanë vuajtur në kurriz si asnjë popull tjetër, dhe e dinë mirë që për ne sovranizëm përkthehet në vetmi, izolim dhe varfëri.
Natyrisht, kohët kanë ndryshuar, sovranizmi i këtyre zotërinjve nuk mund të jetë ai që ishte në Shqipërinë e mbyllur. Por pika ku takohen këta me të shkuarën komuniste është një: Përdorimi i sovranizmit për pushtetin e tyre personal, duke u dhënë partnerëve mesazhin “na lini në punën tonë” dhe duke shpresuar se kështu mund të manipulojnë me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve që Shqipërinë e kanë mbi gjithçka.
Por demokratët dhe shqiptarët e dinë mirë se Shqipëria dhe Kosova janë të pavarura dhe sovrane etëm brenda familjes euroatlantike. Është fati ynë si Shqipëri të jemi pjesë e kësaj Aleance. Urojmë e shpresojmë të jetë sa më shpejt fati i Kosovës gjithashtu.
Sovranizmi që po predikohet këto kohë, është në fakt mburoja për zullumet e atyre, që kanë për qëllim të zhvleresojnë shpalljet non grata, politikën amerikane, që tani është politika e gjithë vendeve të NATO-s kundër korrupsionit, minimit të demokracisë dhe pandëshkueshmërisë.
A ka shqiptar që nuk e kupton këtë?
A ka shqiptar që do të donte të jetonte në regjimin e pandëshkueshmërisë “sovraniste” të kastes 30-vjeçare në pushtet?
A ka shqiptar që nuk e di se sovranizmi ynë është real dhe jetëdhënës sepse është euroatlantik?”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb