Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka dhënë informacione për konfliktin mes nuses e vjehrrës në Dimal, teksa kjo e fundit ka përfunduar te Trauma me dëmtime të rënda.

Në lidhje me deklaratën në media nga shtetasja Marjana Çinari., përmes së cilës ajo ka pretenduar se është dhunuar fizikisht nga shtetasja Elena Çinari (bashkëshortja e djalit të saj), ju bëjmë me dije se:

Më datë 06.10.2022, rreth orës 08:30, është paraqitur në Stacionin e Policisë Dimal, shtetasja Marjana Çinari, e cila ka kërkuar nga punonjësit e Policisë që të largojnë nga banesa e përbashkët, bashkëshorten e djalit të saj. Në përmbushje të detyrave funksionale, efektivët e Stacionit të Policisë Dimal i kanë shpjeguar shtetases Marjana Çinari, se për përmbushjen e kësaj kërkese nuk mund të procedohej pa vendim gjykate. Gjithashtu, efektivët i kanë shpjeguar shtetases Marjana Çinari se për pretendimet që kishte, mund të depozitonte një kallëzim penal. Shtetasja Marjana Çinari nuk ka pranuar të depozitojë kallëzim dhe është larguar nga ambientet e Komisariatit.

Në vijim, po më datë 06.10.2022, rreth orës 13:45, kemi marrë njoftim se shtetaset Marjana Çinari dhe Elena Çinari janë konfliktuar me njëra-tjetrën. Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes dhe kanë gjetur në banesë shtetasen Marjana Çinari e cila ka pretenduar se është dhunuar fizikisht nga shtetasja Elena Çinari (bashkëshortja e djalit të saj) që nuk ndodhej në banesë në momentin e mbërritjes së shërbimeve.

Shtetasja Marjana Çinari, pas pretendimit se nuk ndihej mirë, është transportuar për në Spitalin Rajonal Berat, ku mjekët kanë deklaruar se kjo shtetase nuk ka shenja të dukshme dhune dhe për ekspertizë mjekësore më të specializuar, e kanë transportuar shtetasen Marjana Çinari për në Spitalin e Traumës Tiranë.

Në kuadër të veprimeve policore për këtë rast, specialistët e Hetimit të Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Dimal, shtetasen Elena Çinari, ndaj së cilës ka nisur procedimi për veprën penale “Dhuna në familje”, si dhe është plotësuar nga SPZ-ja, Urdhri i Mbrojtjes së Menjëhershme, në favor të shtetases Marjana Çinari.

Më datë 07.10.2022, shërbimet e Policisë kanë administruar deklaratën e shtetases Elena Çinari , e cila ka pretenduar se për shkak të konfliktit me shtetasen Marjana Çinari (nëna e bashkëshortit të saj), është dhunuar psikologjikisht dhe është kanosur nga bashkëshorti i saj, shtetasi Elena Çinari. Për këto pretendime, shtetasja Elena Çinari nuk ka dashur të depozitojë një kallëzim penal. Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e kësaj familjeje, me qëllim parandalimin e agravimit të konfliktit. Duke qenë se shtetasja Elena Çinari ka pretenduar sërish se është shqetësuar nga familjarë të shtetases Marjana Çinari, shtetasja Elena Çinari është akomoduar në Qendrën Sociale Poshnje, së bashku me dy fëmijët e saj të mitur.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat janë të angazhuara maksimalisht për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të zbatuar me korrektësi ligjin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb